Prej ditësh, 1589 të burgosur me origjinë shqiptare janë në grevë urie në burgjet greke.
Shkak i grevës është bërë njoftimi i Ministrisë Greke të Drejtësisë për mënyrën e dhënies së lejeve dhe të lirimit me kusht për të burgosurit që mbahen në institucionet greke të riedukimit.
Me anë të një video të dënuarit thonë se kërkojnë të drejtat e tyre dhe se po penalizohen nga qeveria, ngaqë ndryshimet ligjore të bëra për të penguar terroristët të dalin nga burgu, penalizojnë mijëra të dënuar, të cilët bazuar në ligjet ekzistuese kërkojnë të drejtat e tyre të sanksionura nga kushtetuta.
“Kohët e fundit ka bërë një ligj të ri për terroristë, që na prek dhe ne që nuk kemi lidhje. Një nga terroristët ka vrarë babanë e një politikani grek dhe na dënojnë edhe ne. Drejtorët bëjnë presion burgaxhinjve të mos bëjnë grevë urie, sepse janë me partinë demokratike”, thotë një nga të burgosurit.
Gjithashtu, denoncojnë raste kur drejtuesit e burgjeve u bëjnë presion të dënuarve që të ndërpresin grevën.