Në fundjavën që lamë pas dy të burgosur humbën jetën në burgun famëkeq të Fushë-Krujës.
Pasditen e së premtes, 19 korrik, 39-vjeçari Afrim Shaqiri humbi jetën në Institucionin e Ekzekutimeve të Vendimeve Penale të Fushë-Krujës. Ai u dërgua në Qendrën Shëndetësore të Fushë-Krujës por aty mjekët thjesht konfirmuan vdekjen e tij duke dyshuar për një arrest kardiak.
Për vdekjen e 39-vjeçarit brenda një institucioni të vuajtjes së dënimit, Drejtoria e Burgjeve as nuk e ka marrë mundimin të bëjë një njoftim zyrtar për shkakun e vdekjes, rrethanat apo edhe përse ishte i dënuar. I vetmi informacion që dihet për 39-vjeçarin Shaqiri është se trajtohej me metadon pasi kishte qenë përdorues i lëndëve narkotike.
Por nëse ishte sasia e metadonit shkak për vdekjen e tij apo ndonjë medikament tjetër, askush nuk mund ta thotë për sa kohë që Drejtoria e Burgjeve nuk tregon momentet e fundit të jetës së 39-vjeçarit, ashtu siç bëri me rastin e Andrea Bregasit, i cili humbi jetën mesditën e së shtunës, 20 korrik.
33-vjeçari i cili u arrestua më 11 korrik 2024, si autor i një atentati të dështuar në Don Bosko të Tiranës në dhjetor 2023, ndërroi jetë në Qendrën Shëndetësore Fushë Krujë për shkak të një arresti kardiak, në orën 14:32. I riu kishte shfaqur shqetësime dhe rreth orës 14:15 ishte dërguar në ambulancë në Qendrën Shëndetësore Fushë-Krujë, aty ku ka humbur jetën.
Ashtu si Shaqiri, edhe Bregasi kishte qenë përdorues i lëndëve narkotike dhe kishte nisur trajtimin me metadon në burg.
Por dy vdekje të tilla brenda një harku kohor 24 orësh, ngrenë shumë pikëpyetje mbi sigurinë në burgje por edhe trajtimin mjekësor me metadon që të burgosurit marrin nga stafi i burgut. Ndërkohë që vlen të thuhet se kjo nuk është hera e parë që të burgosur, përdorues të metadonit, humbin jetën në institucione të ndryshme të vuajtjes së dënimit në vend.
Këto vdekje që ngjasojnë si 'eliminime' të të burgosurve, duhet të shërbejnë si këmbana alarmi për Avokatin e Popullit dhe mbi të gjitha ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili mbyll sytë dhe veshët para vrasjeve, plagosjeve dhe vdekjeve të njëpasnjëshme të të burgosurve. Ai publikon në rrjetet sociale propagandën e qeverisë, por nuk merr mundimin të shkuajë dy fjalë, qoftë edhe ngushëlluese, për dy të rinjtë që humbën jetën në burg.
Vlen të thuhet se dita që ministri do të marrë barrën e përgjegjësisë për këto jetë të humbura në duart e shtetit shqiptar, duket shumë e largët pasi rastet shtohen e shtohen, ndërsa përgjegjësit janë inekzistentë.