Plazhet greke të mbipopulluara po përballen me një kontroll të rreptë të shezlongeve nëpërmjet dronëve.
Fqinjët grekë “të ngopur” me plazhet “full” me shezlonge janë mbështetur tek një aplikacion që bën të mundur luftën kundër mbipopullimit të plazheve me shezlonge.
Plazhet greke të mbuluara me shezlonge po bëhen një pamje më e rrallë në Greqi teksa dronët patrullojnë për të zbatuar rregullat e reja. Restorantet dhe baret janë në shënjestër për vendosjen e shezlongeve në plazh.
Dronët gjithashtu kontrollojnë vendet që vendosin shezlonget shumë afër detit (shezlonget dhe çadrat duhet të jenë të paktën katër metra larg bregut), sipas legjislacionit të prezantuar në mars. Kjo do të thotë që shezlonget me qira nuk lejohen më në plazhe që janë më pak se katër metra të gjera.
Dronët po ndihmohen nga qytetarët vendas përmes një aplikacionit dixhital, i cili liston vendet dhe inkurajon përdoruesit të raportojnë shkeljet. Në fillim të këtij muaji, mediat lokale raportuan se mbi 1,000 ankesa u morën duke rezultuar në mbi 350,000 euro gjoba për shkelje vetëm në pesë ditë.
“Qëllimi ynë është të mbrojmë, nga njëra anë, si mjedisin ashtu edhe të drejtën e qytetarëve për qasje të lirë në plazh, dhe nga ana tjetër, të ruajmë produktin tonë turistik si dhe sipërmarrjen e shëndetshme të përfaqësuar nga biznesmenët që e bëjnë punën siç duhet,” deklaroi Ministri grek i Ekonomisë Kombëtare dhe Financave, Kostis Hatzidakis.
Cilat plazhe po përballen me kontrolle të shezlongeve në Greqi?
Inspektimet e fundit janë përqendruar në 14 plazhe greke, veçanërisht duke mbrojtur ato në zonat e mbrojtura ‘Natura’ nga vendosja e paligjshme e çadrave dhe shezlongeve.
Plazhi Kryoneri në bregun veriperëndimor të vendit mori 169 ankesa në fillim të këtij muaji (më shumë se çdo tjetër). Shumica e ankesave lidheshin me vendet që përdornin një pjesë të plazhit që tejkalonte zonën e dakorduar. Plazhi Valtos, aty pranë, gjithashtu mori një numër ankesash të konsiderueshme.
Në anën tjetër të vendit, plazhet Lagonisi dhe Nea Heraklia në Halkidiki u ekzaminuan për shkelje të ngjashme, së bashku me plazhin Klima në ishullin e Aeginës dhe plazhin Masouri në Kalymnos. Plazhet në destinacione të njohura turistike si Korfuzi dhe Rodi janë gjithashtu në shënjestër. Gjoba më e madhe (220,000 euro) iu dha një biznesi që u gjet se operonte pa licencë në plazhin Thymari në Anavyssos (një orë me makinë në jug të Athinës).
Sipas ligjit, plazhet në Greqi duhet të jenë tani 70 për qind pa shezlonge, ose 85 për qind për ato në zonat e mbrojtura, ku ndërtimi është gjithashtu i kufizuar rreptësisht.
Me fillimin e sezonit turistik veror, kontrollet e reja thuhet se po ndihmojnë në zvogëlimin e mbipopullimit dhe privatizimit të paligjshëm të plazheve greke.