Arrestimi i Ibrahim Licit në Turqi, babai i tij: Djali ka qenë në Tiranë kur u vra Endri Mustafa

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 20.02.2024, 13:11

Një ditë pasi Prokuroria e Shkodrës dorëzoi në Ministrinë e Drejtësisë dosjen për ekstradimin e Ibrahim Licit nga Turqia, ku u arrestua pak ditë më parë, babai i tij është paraqitur në SPAK.

Para mediave, Mustafa Lici tha se ka prova që tregojnë se djali i tij ka qenë në Tiranë, ditën kur është vrarë Endri Mustafa, vrasje për të cilën akuzohet Lici.

"Në Shkodër është krijuar një alibi nga punonjës të policisë të cilët uroj të jenë të implikuar nga ‘dollarët’ dhe jo nga politika, sepse është më e rrezikshme të jenë nga politika. Është bërë një aktakuzë duke e manipuluar njerëz që sot janë në SPAK, për Ibrahimin. Dosjen e ka bërë gati Ardit Hasanbegaj dhe Niko Brahimaj. Pasi bëri dosjen e djalit tim Niko Brahimi u bë drejtor i Policisë Kriminale. Kam dorëzuar pamjet filmike dhe qelizat telefonike që djali im ndodhej në Tiranë. Pamjet i kam bërë në shumë kopje se nuk kam besim.”

Edhe më herët, Mustafa Lici ka mohuar këto akuza ndaj djalit të tij por edhe përfshirjet në ngjarje të tjera kriminale.

Ibrahim Lici prej disa vitesh ka qenë një prej personave më të kërkuar nga Policia e Shtetit. Madje për arrestimin e tij Policia vuri si shpërblim një shumë të madhe parash, për cilindo që jepte informacion. Lici akuzohet për vrasjen e Endri Mustafës, ngjarje e ndodhur në maj të vitit 2021, në lagjen Guerrile, Shkodër.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit