Covid, kriza klimatike dhe lufta në Ukrainë veprojnë si katalizatorë në trafikimin e qenieve njerëzore. Numri i proceseve ka rënë pak, por kjo shton shqetësimin!
Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për luftimin e Drogave dhe Krimit (UNODC), trafikantët e qenieve njerëzore po ia dalin gjithnjë e më shumë të kalojnë pa dënime. Dënimet për krime të tilla kanë rënë nga rreth 7,300 në 2,300 midis vitit 2017 dhe 2020, njofton agjencia e OKB-së në Vjenë.
Në të njëjtën kohë, deri në fillimin e pandemisë korona, vit pas viti zbuloheshin gjithnjë e më shumë njerëz, të cilët po shfrytëzoheshin larg atdheut të tyre. Rreth 47,000 viktima u raportuan në UNODC për vitin 2020. Rreth 39 për qind duhej të bënin punë me detyrim ose ishin të shfrytëzuar seksualisht. Rreth 10 për qind u detyruan të kryenin madje edhe krime. Trafikimi i qenieve njerëzore prek kryesisht femrat dhe vajzat e reja, por vitet e fundit është shtuar edhe përqindja e meshkujve dhe e djemve.
Sipas DW, raporti bazohet në të dhënat nga 141 vende të mbledhura midis 2017 dhe 2020 dhe analizën e 800 proceseve gjyqësore.
Vetëm në vitin 2021, janë zhvendosur për shkak të fatkeqësive që kanë lidhje me ndryshimin e klimës më shumë se 23.7 milionë njerëz. Ndërsa rajone të tëra të botës rrezikojnë të bëhen “gjithnjë e më shumë të pabanueshme”, miliona njerëz do të jenë në “rrezik të shtuar të shfrytëzimit përgjatë rrugëve të migrimit”, sipas autorëve.