Një shtetase e moshës 55-vjeçare është gjetur e mbytur në lumin e fshatit Rehovë. Gruaja me iniciale Sh.Ll., ishte raportuar një ditë më parë nga bashkëshorti i saj si e zhdukur. Ajo ishte larguar pa adresë nga banesa dhe i shoqi njoftoi menjëherë autoritetet.
Sipas Policisë së Beratit, dyshohet se 55-vjeçarja është vetëmbytur në lumin e fshatit. Ajo shpesh i shprehej të shoqit se do të mbytej në lumë, si pasojë e depresionit. Megjithatë, nuk përjashtohet as pista e një aksidenti, ku gruaja mund të ketë rëshqitur e të jetë tërhequr nga uji i vrullshëm, ndikuar nga reshjet e shiut.
Njoftimi:
Më datë 21.01.2023, në fshatin Gjerbës, Skrapar, në ujërat e lumit në fshatin Rehovë, Skrapar, dyshohet se është vetëmbytur në ujë, shtetasja Sh.Ll., 55 vjeçe, banuese në fshatin Rehovë, Skrapar.
Trupi i pajetë i 55-vjeçares është nxjerrë nga uji, dhe nga këqyrja paraprake e trupit të viktimës, nuk janë konstatuar shenja dhune.
Për shtetasen Sh.Ll., më datë 21.01.2023, ka njoftuar bashkëshorti i saj se është larguar nga banesa. Nga deklarimet e familjarëve shtetasja Sh.Ll., prej disa kohësh kishte shfaqur shenja depresioni, dhe në vazhdimësi ishte shprehur se do të mbytej në lumë.