Kërcënimet me bomba në shkolla në RMV: Nxënësit kanë humbur shumë orë mësimore

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 22.01.2023, 14:40

Përfundimi i gjysmëvjetori të dytë rezultoi me përfundimin e alarmeve për bomba të vendosura në shkolla, por tani që jemi në prag të fillimit të gjysmëvjetorit të dytë shkollor asgjë nuk na siguron se ky skenar nuk do të përsëritet. Pavarësisht se të gjitha kërcënimet deri tani kanë rezultuar të rreme, ekspertët thonë se dëmi që kanë shkaktuar në arsim është i madh dhe në qoftë se nuk ndërmerren masa parandaluese, ky dëm mund të bëhet edhe më i madh.

“Shohim gjatë pushimeve disa neglizhenca të cilat janë institucionale, të cilët vetëm presin se çka do të ndodhë në të ardhmen. Unë shpresoj që të mos përsëritet ajo që ndodhi në gjysmëvjetorin e parë, sepse pasojat e dimë cilat janë, nëse ka një ndërprerje, qoftë ajo ditore në arsim, pasojat janë në vazhdimësi. Ku, formohet një homogjenizim i të rinjve të cilët kanë dëshirë që të ketë ndërprerje për fat të keq”, tha Satki Ismaili, arsimtar.

Ismaili thotë se vendi duhet të merret me shkaqet dhe jo pasojat. Në këtë drejtim, ai potencoi rëndësinë e edukimit mediatik, si mjet që do t’i vetëdijësonte të rinjtë për rreziqet e kërcënimeve dhe lajmeve të rreme për bomba të vendosura.

“Ka nevojë që secili institucion të bëje punën e vetë, ka nevojë edhe shteti t’i zbulon cilët janë aktorët që janë të kyçur në këto dezinformata do t’i quaj sepse ende nuk ka diçka që ka treguar se kush qëndron pas tyre, mirëpo edhe ministria e Arsimit duhet të ketë parasysh se të rinjtë duhet të edukohen në frymën e asaj se një dezinformatë e vogël, qoftë ajo vetëm një e-mail që është e rrejshme, ju bën dëm institucioneve arsimore dhe gjithë arsimit në Maqedoni”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, edhe pse vazhdimisht është thënë se këto kërcënime janë pjesë e luftës hibride të cilën Rusia po e zhvillon në këtë pjesë të botës, institucionet e hetuesisë në vend ende nuk kanë arritur të zbulojnë gjenezën e tyre. Deri tani, janë dorëzuar tre kallëzime penale deri në Prokurorinë Themelore për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

“Nën dyshime për kryerje të veprës penale “terrorizëm” është një i mitur nga Shkupi, i cili ka pranuar kryerjen e kësaj vepre. Gjithashtu, për të njëjtën vepër dyshohet një 15 vjeçar nga Kavadari si dhe një 63 vjeçar nga Tetova, i cili kishte telefonuar Sektorin për Punë të Brendshme në Dellçevë dhe rrejshëm kishte deklaruar se ka vendosur bomba në lokacione të ndryshme të qytetit”, thonë nga Ministria për Punë të Brendshme.

Kërcënimet kanë nisur që më 26 nëntor fillimisht në autobusët urbane, pastaj në dy shkolla të mesme për t’u zgjeruar më pas në të tuhasje në gjitha shkollat e Shkupit duke shkaktuar kaos në mësim, por edhe frikë në mesin e nxënësve dhe të popullatës në përgjithësi

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit