Situata e përmbytjeve në Lezhë sa vjen e përkeqësohet. Së fundmi për shkak të prurjeve të shumta dhe të rrëmbyeshme të përroit të Matanisë, është shembur ura që lidh banorët e lagjes “Kodra e Mullirit” me rrugën nacionale.
Për momentin 600 banorët e këtij fshati kanë mbetur të bllokuar pasi nuk kanë akses në rrugën nacionale. Por sikur të mos mjaftonte kjo edhe tubacioni i ujësjellësit është dëmtuar.
Qarkullimi në urën që lidh fshatin Mërçi me superstradën Lezhë- Balldre, është bllokuar pasi uji ka dalë në sipërfaqe të urës.
Vlen të thuhet se parashikimet e sinoptikanëve dhe meterologëve kanë qenë të shumta për situatën që do të vinte, por reagimi i pushtetit vendor i vakët dhe i munguar.