Tërmeti me magnitudë 4.7 Rihter pas Dajtit/ Raportohet për 22 banesa të dëmtuara, Klosi më i godituri

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 16.01.2023, 09:56

Shqipëria përjetoi edhe një herë me frikën e tërmetit, kur kemi hyrë në vitin e katërt pas atij të 2019-ës, që shkaktoi dëme të mëdha. Tërmeti i mbrëmshëm kishte epiqendër qytezën e Klosit, ishte me magnitudë 4.7 të shkallës Rihter dhe u regjistrua në orën 22:37.

Ai pati edhe një pasgoditje mjaft të fortë disa minuta më pas, teksa gjithsej janë regjistruar plot 8 pasgoditje. Fatmirësisht nuk kemi të bëjmë me një tërmet të përmasave shkatërruese, por pa dëme nuk ka kaluar.

Mësohet se në Klos është mbledhur Shtabi i Emergjencës, që ka raportuar situatën aktuale. Deri në këto momente janë raportuar dëmtime të lehta, fatmirësisht pa pasoja të rënda të 8 banesave në Xibër, 2 në njësinë Gur dhe 12 në Klos, pra në total 22 ndërtime të amortizuara nga tërmeti.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave raportohet se epiqendra e tërmetit ishte 3 kilometra në jug të Klosit, prapa Malit të Dajtit, ndërsa lëkundjet janë ndjerë më së shumti në Dibër, Tiranë, Durrës dhe Lezhë. Në Klos janë regjistruar dëmet më të mëdha.

Ekipe të shërbimeve të ndryshme kanë zbarkuar në terren. Në Durrës raportohet se ka dëmtim të rrjetit të energjisë elektrike dhe disa lagje nuk kanë drita. Në qytetet e tjera të vendit lëkundjet janë ndier goxha dhe kanë shkaktuar panik te qytetarët.

Një pjesë e banorëve të kryeqytetit e kanë kaluar natën jashtë, për shkak të panikut. Autoritetet kanë vënë në dispozicion të plotë shërbimet e emergjencës dhe u bëjnë thirrje qytetarëve, që për çdo problematikë, të sinjalizohet në numrin 112 ose zjarrfikësit në numrin 128.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit