Anija që mbërriti në Portin e Durrësit me 50 mijë litra naftë, dyshohet se u furnizua me naftë nga Afrika. Anija e sekuestruar “Geni”, në bord ka pasur flamurin e Libisë, pas verifikimeve dhe kontrolleve të kryera nga autoritetet.
Madje në ujërat ndërkombëtare, anija është pikasur nga qendra ndërinstitucionale operacionale detare në bashkëpunim me Guardia di Finanza-n italiane teksa furnizohej me naftë kontrabandë nga një anije e Libisë. Pas furnizimit autoritetet kanë bërë shoqërimin e anijes në kalatën e antikontrabandës detare, ku mbahen edhe 3 anije të tjera të sekuestruara me naftë në portin e Durrësit.
Përballë pyetjeve të efektivëve të policisë, ekuipazhi i anijes ‘Geni’ ka deklaruar se është furnizuar me naftë për nevojat e anijes dhe jo për ta tregtuar atë me qëllime fitimi. Burime jo zyrtare nga Policia e Shtetit, bëjnë me dije se kontrabanda e naftës është edhe më e zgjeruar dhe po hetohen të tjera grupe të dyshuara se marrin naftë nga vendet afrikane.
Në studimet e kryera, në Shqipëri hyjnë po e njëjta sasi nafte kur numri i makina ishte më i vogël. Ekspertët e ekonomisë gjithmonë kanë ngritur dyshimet se në Shqipëri hynë naftë kontrabandë, por që drejtësia nuk ka pasur guxim të hetojë më tej.