Në 4 vite dyfishohen shtrimet në spital nga sëmundjet e zemrës, por kapacitetet shëndetësore në vendnumëro

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 12.01.2023, 23:19

Sëmundjet kardiovaskulare kanë përparuar me shpejtësi në dekadën e fundit, teksa masa e njerëzve që vuan nga hipertensioni sinjalizon për rritje të kësaj diagnoze në vitet në vijim. Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) në një analizë për ecurinë e sëmundjeve të zemrës vitet e fundit njoftoi se rreth 87,785 mijë persona aktualisht janë diagnostikuar me sëmundje zemre nga të cilët 36,675 janë me sëmundje ishemike të zemrës. Gjithsej, në vendin tonë janë të regjistruar edhe rreth 290,000 persona me hipertension apo sëmundje të tjera të qarkullimit të gjakut, të cilat janë një potencial i madh për përhapjen e sëmundjeve kardiovaskulare.

ISHP vë në dukje se, sëmundshmëria e diagnostikuar në sistemin shëndetësor ka vijuar të rritet gjatë dekadës së fundit. Kjo reflekton me një rritje të nevojës për shërbime, ndërgjegjësim më të madh të popullatës, por dhe akses më të mirë dhe rritje të ofertës në sistemin shëndetësor. Investimet në repartet e kardiologjisë nuk kanë ecur me të njëjtat ritme me përhapjen e sëmundjeve në popullatë, teksa stafet mjekësore përballen me mungesa të kardiologëve prej emigrimit të lartë edhe në këtë sektor.

Sipas Monitor, nga viti 2010 deri në vitin 2018, rastet prevalente si të sëmundjeve ishemike të zemrës të regjistruara në kujdesin parësor janë rritur me rreth 30%. Rastet e diagnostikuara çdo vit në spital janë gjithashtu në rritje së bashku me volumin e shërbimeve diagnostike dhe kirurgjikale. Ndërhyrjet by-pass për rivendosjen e qarkullimit të gjakut në muskulin e zemrës të kryera nga QSUT pothuaj janë rritur në mënyrë eksponenciale në 10 vitet e fundit.

Risku i sëmundjeve të zemrës në Shqipëri vjen duke u rritur me moshën dhe është më i lartë tek burrat krahasuar me gratë. Në grup – moshën 30-69 vjeç vdekshmëria dhe sëmundshmëria janë rreth 2 herë më të larta tek meshkujt, ndërsa pas kësaj moshe diferenca zvogëlohet në vetëm rreth 20%. Diferencat mes grave dhe burrave janë akoma më të mëdha kur krahasojmë sëmundshmërinë. Arsyet e diferencës përfshijnë mbrojtjen hormonale te femrat para menopauzës, si dhe ekspozimin më të lartë ndaj duhanpirjes dhe abuzimit të alkoolit.

Vetëm një pjesë e individëve në popullatë është në dijeni mbi problemet shëndetësore personale, bën përpjekje për kontrollin e tyre, apo trajtohet si duhet për to. OBSH rekomandon t’i kushtohet vëmendje vlerësimit të përgjithshëm të një numri faktorësh risku për sëmundjet e zemrës dhe aksidentet cerebrovaskulare, në vend të një të vetmi, me synim zvogëlimin e riskut total. Njohja e statusit individual lidhur me hipertensionin, diabetin, hiperkolesteroleminë, funksionin e dëmtuar të veshkave, duhanpirjen, obezitetin, lejojnë përllogaritjen me një saktësi të mirë të një aksidenti madhor kardiovaskular në 10 vitet e ardhshëm.

Kontrolli i njëkohshëm i të gjithë këtyre faktorëve te një individ mund të sjellë përmirësime thelbësore lidhur me cilësinë e shëndetit, shmangien e operacioneve shumë të kushtushme dhe zgjatjen e jetës. Këshillimi dhe terapia për personat me rrezik 10-vjeçar të problemeve madhore kardiovaskulare është kosto shumë efektive pasi zgjat vitet e jetës së shëndetshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit