Nuk iu bindën urdhrit të Alibeajt/ Përjashtohen nga grupi parlamentar 4 deputetë demokratë

Shkruar nga: Y Pepa | Publikuar më: 10.01.2023, 17:48

Një vit pas dhunës së ushtruar ndaj selisë së Partisë Demokatike, ekzaktësisht më 8 janar të vitit të shkuar, sot grupi parlamentar i udhëhequr nga Enkelejd Alibeaj ka përjashtuar 4 deputetë.

Bëhet fjalë për deputetët e Partisë Demokratike Tritan Shehun, Oerd Bylykbashin, Belind Këlliçin dhe Agron Shehajn.

Ky vendim erdhi pasi një vit më parë, në mbledhjen e Kryesisë së PD-së së Alibeajt, iu dha një ultimatum këtyre deputetëve që të distancohen nga aktet e dhunës më 8 janar në selinë blu.

Sipas grupit të Alibeajt, këta deputetë nuk kanë bërë distancim publik nga këto akte të dhunshme, ndaj është marrë vendimi për përjashtimin e tyre.

"Sot, më datë 10.01.2023, ka përfunduar afati 1 vjecar për distancimin e plotë dhe publik nga aktet e dhunës ndaj Partisë Demokratike të deputetëve të pezulluar Tritan Shehu; Oerd Bylykbashi; Belind Këllici dhe Agron Shehaj.

Në mungesë të aktit të distancimit, sipas vendimit nr.1 dhe nr. 1/1, datë 10.01.2022 të Kryesisë së Partisë dhe konfirmimit të Këshillit Kombëtar dhe Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike në mbledhjen e datës 15.01.2022, nga sot hyn në fuqi masa e largimit zyrtarisht të tyre nga Grupi Parlamentar.

Për këtë qëllim, është njoftuar zyrtarisht Kuvendi i Shqipërisë që deputetët Tritan Shehu; Oerd Bylykbashi; Belind Këllici dhe Agron Shehaj nuk janë më pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike duke filluar nga data 11.01.2023", shkruhej në njoftim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit