Banka e Shqipërisë: Çmimet e banesave po rriten tre herë më shpejt se mesatarja historike

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 10.01.2023, 08:48

Çmimet e banesave gjatë vitit 2022 janë rritur me ritme tre herë më të larta se mesatarja historike.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, indeksi i çmimeve të banesave në tremujorin e tretë 2022 rezulton me një rritje vjetore 17.6%, ndërkohë që rritja mesatare e historike e këtij treguesi (për periudhën nga tremujori i katërt 2002 deri në tremujorin e dytë 2022) rezulton në nivelin 5.7%.

Sipas Monitor, vlerësimet e mësipërme të Bankës së Shqipërisë bëhen për nevoja të politikave së saj makroprudenciale në raport me sektorin bankar në vend dhe përfshijnë teknika të zbutjes së indeksit për 8 tremujorët e fundit.

Megjithatë, këto të dhëna tregojnë se tregu i pasurive të paluajtshme vazhdon të shfaqë nivele të larta të rritjes së çmimeve, me gjithë rritjen e inflacionit dhe shfaqjen e sinjaleve të para të ngadalësimit të kredisë bankare.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë së për muajin nëntor të vitit 2022 kredia e re për blerjen e pasurive të paluajtshme pësoi një rënie me 12.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shkalla e rënies u thellua më tej nga niveli 8.6% i muajit tetor. Këto të dhëna tregojnë se veçanërisht rritja e normave të interesit po reflektohet në një frenim të huasë për blerje të pasurive të paluajtshme nga familjet shqiptare.

Normat e rritura të interesit e bëjnë më pak të përballueshme dhe tërheqëse kredinë, duke ndikuar negativisht kërkesën.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit