Nënë e bir grabitën mbi 500 mijë € te ish-drejtoresha e Ahmetaj, përgjimet në Komisariat i nxorrën zbuluar

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 08.01.2023, 19:25

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me vjedhjen spektakolare që pastruesja Rozeta Dobi dhe djali i Havier Dobi kanë kryer në banesën e Alda Klosit alias Çiko, e cila ka qënë Drejtore Kabineti pranë ish-ministrit të Rindërtimit dhe ish-Zv/kryeministrit të vendit, Arben Ahmetaj.

Rozeta dhe djali i saj Havier kanë arritur të marrin nga shtëpia e Klosit, në Rrugën e Kosovarëve në Tiranë, 524.800 euro, 8500 dollarë dhe 368.000 lekë të rinj si dhe aksesorë flori.

Shuma e parave është vjedhur së bashku me kasafortën e lëvizshme që Alda Klosi mbante në shtëpinë e saj në kohën që ajo ka qenë në SHBA.

Pastruesja Rozeta duke përfituar nga mundësia e të paturit një kopje të çelësit të shtëpisë ka kryer vjedhjen në bashkëpunim me djalin e saj.

Ky i fundit e ka ndihmuar mamanë për të lëvizur kasafortën që Alda Klosi mbante në shtëpi. Pastruesja ka qenë në dijeni të faktit se brenda në kasafortë kishte një shumë të madhe eurosh, pasi sipas saj, e kishte parë disa herë pronaren e shtëpisë të hapte kasafortën në prezencë të saj.

Pasi Rozeta dhe djali i saj kanë kryer vjedhjen, ata kanë bërë rrëmujë shtëpinë për t’u dukur si vjedhje nga të tjerët dhe më pas janë larguar.

Kasafortën e kanë hapur në shtëpinë e tyre dhe pasi kanë nxjerrë paratë i kanë fshehur në ambientet e saj. Policia ushtroi një kontroll në shtëpinë e tyre, ku ditën e parë gjeti shumën prej 120 mijë euro.

Por nënë e bir janë përgjuar brenda në dhomat e shoqërimit të komisariatit, ku kanë folur se si policia iu ka gjetur vetëm 120 mijë euro, por jo shumën tjetër të fshehur prej tyre në tubin e aspiratorit. Kaq ka mjaftuar që policia të rinisë kërkimet dhe të gjejë shumën prej 404.000 dhe vlerave të tjera monetare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit