Statistikat/ Shqiptarëve u ikën rroga për ushqime e ilaçe, shifrat tregojnë diferencën e madhe me Europën

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 06.01.2023, 13:11

Shqipëria është vendi më të ardhurat më të pakta për frymë në Europë dhe kjo dëshmohet qartë sesi familjet shqiptare i shpenzojnë buxhetet e tyre mujore. Një analizë e kryer nga Eurostat tregon se pjesa më e madhe e financave të familjeve në Shqipëri shkon për ushqimin, që është nevoja bazë apo shpenzimi minimal i domosdoshëm për të jetuar.

Në vitin 2020, kur janë të disponueshme këto të dhëna, një familje normale shqiptare shpenzonte 43.6% të totalit për ushqime. Nga ana tjetër, për një familje evropiane, sigurimi i ushqimit nuk përbën asnjë problem. Në 2021-shin një familje evropiane shpenzonte vetëm 14.3% të shpenzimeve totale për ushqime, çka tregon diferencën e madhe që ekziston.

Edhe në rajon, Shqipëria ka përqindjen më të madhe për sa i përket shpenzimeve të familjes për ushqime. Për Maqedoninë e Veriut treguesi është rreth 31%, për Bosnjë Hercegovinën 29.5%, për Serbinë rreth 24%, për Malin e Zi 24.6%, sipas Eurostat (viti 2019). Të dhënat për Kosovën mungojnë nga Eurostat, por sipas statistikave kombëtare, pesha është më e ulët se 40%.

Në Europë familjet shpenzojnë më shumë për mirëmbajtjen e shtëpisë, qiranë dhe faturat e konsumit të energjisë. Ata shpenzojnë 25% të totalit, përkundrejt 13% në vendin tonë. Gjithsesi, pavarësisht kësaj, europianëve u mbeten më shumë para në dispozicion edhe pas këtyre shpenzimeve. Për t’ú argëtuar familjet europiane shpenzojnë 8% të buxhetit, përkundrejt 6.1% të Shqipërisë.

Europianët shpenzojnë më shumë për transport dhe kjo është e qartë, sepse kemi të bëjmë me vende të mëdha dhe për të shkuar në punë duhet të bësh dhjetëra kilometra. Ndryshe ndodh me vendin tonë. Gjithsesi, një tjetër faktor kyç është edhe numri i pakët i makinave në Shqipëri në krahasim me Europën, çka është një faktor i mirëqenies.

12.1% e të ardhurave të europianëve shkojnë për transport, teksa gjysmën e kësaj shifre e shpenzojnë shqiptarët. Gjithashtu, familjet evropiane kanë më shumë para për të shpenzuar nëpër restorante, 6.6% përkundrejt 3.9% në Shqipëri. Ndonëse jemi më të varfër, sipas Monitor, shqiptarët (2.6%) paguajnë më shumë se europianët (0.9%) për arsimin e fëmijëve.

Gjithashtu, shqiptarët shpenzojnë më shumë se europianët për ilaçe, çka është një shpenzim i domosdoshëm. Kjo ndodhi më së shumti në vitin e pandemisë, 2020. Shqiptarët shpenzuan 5.6% për barna në vitin 2020, duke treguar se Covid-19 u përballua nga xhepat tanë dhe jo nga shteti, siç reklamohet. Ndërsa familjet europiane e kishin këtë tregues 4.5% në 2020-n, nga 4.4% një vit më parë.

Shërbimi shëndetësor më i mirë u garantoi atyre kujdesin e duhur. Kujtojmë se në 2020-n, Shqipëria ishte një nga vendet me vdekshmërinë më të lartë shtesë në Europë nga pandemia. Si përfundim, shqiptarëve u duhet të shpenzojnë më së shumti për nevoja jetike, pra jetojmë për të mbijetuar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit