Tragjedi në SHBA/ Nuk pranoi divorcin, 42-vjeçari vret gruan bashkë me vjehrrën dhe 5 fëmijët para se të vetëvritej

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 06.01.2023, 10:04

Një ngjarje tejet e rëndë është regjistruar në SHBA, në shtetin e Utah. Një 42-vjeçar ka vrarë shtatë anëtarë të familjes së tij, përpara se të ekzekutonte edhe veten. Shkak i kësaj masakre, ku u shua një familje e tërë ishte divorci që gruaja i kishte kërkuar autorit të vetëvrarë.

Trupat e vrarë u gjetën në një shtëpi rurale në Enoch City mbrëmjen e së mërkurës gjatë një kontrolli të policisë. Michael Haight, i cili punonte për një kompani sigurimesh, ka vrarë bashkëshorten Tausha, vjehrrën 78-vjeçare Gail Earl dhe 5 fëmijët e tyre, përpara se të vriste edhe veten.

Pesë fëmijët, emrat e të cilëve nuk janë publikuar, përfshijnë tre vajza, 17, 12 dhe 7 vjeç dhe dy djem, 7 dhe 4 vjeç. Kontrolli i policisë në shtëpinë e familjes u bë për shkak se gruaja kishte humbur një takim të planifikuar për divorcin, çka shtoi dyshime të shumta.

Raportohet se të gjitha vrasjet janë bërë me armë zjarri. “Tausha ishte personi më i sjellshëm dhe bujar dhe ajo kurrë nuk tha asgjë të keqe për askënd, tha Tina Brown, një mike e familjes. Kryebashkiaku i Enoch City, Jeffrey Chestnut ishte emocional në dhënien e këtij lajmi.

Ai tregon se ishte fqinj me familjen e shuar dhe fëmijët e tyre luanin së bashku më të tijtë në oborret e shtëpive. “Nuk ndodh shpesh që diçka e tillë të ndodhë shumë afër shtëpisë tënde. Fëmijët më të vegjël luanin në oborr me djemtë e mi”, tha ai.

Enoch City është një provincë e vogël bujqësore në pjesën jug-perëndimore të shtetit, rreth 245 milje (394 km) në jug të Salt Lake City.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit