E reja shqiptare u vetëvra në burg, zbulohet letra e ndjerë për Maria de Filippin: Më ndihmo t’ia nis nga e para

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 04.01.2023, 10:00

Donatella Hodo, vetëm 27 vjeç, i dha fund jetës së saj në moshë të re në një nga burgjet italiane në gusht të vitit të shkuar. Ajo po vuante dënimin për një vjedhje të kryer. Në Itali ka shumë ngjarje të ngjashme, por ajo vetëvrasja e shqiptares së rritur në Itali bëri më shumë bujë.

Kjo ndodhi për shkak se gjyqtari, që po shqyrtonte dosjen e saj kërkoi falje publike në funeralin e të resë. Së fundmi, mediet italiane kanë zbuluar një nga përpjekjet e shumta të Donatellas për të dalë nga rruga e errët ku kishte përfunduar, për shkak të varësisë ndaj drogës.

Ajo kishte shkruar një letër në ambientet e burgut për Maria de Filippin, prezantuesen dhe producenten më të njohur në Itali. Donatella i kërkonte ndihmë Marias për t’ia nisur nga e para, por ajo kërkesë e saj nuk mbërriti në asnjë moment në duart e De Filippit.

“Përshëndetje Maria, po ju shkruaj këtë letër për t’ju treguar historinë time dhe për t’ju kërkuar ndihmë. Unë quhem Donatella Hodo, sapo kam mbushur 26 vjeç, kam origjinë shqiptare, por jam rritur në Itali.

Tani për fat të keq e gjej veten në burgun e Montorios. Përfundova këtu, sepse kam pasur një fëmijëri dhe adoleshencë të vështirë me kaq shumë probleme, nuk pata forcë të reagoja dhe gjeta ngushëllim te droga”, ka shkruar Donatella.

Letra është dërguar nga burgu Veroneze i Montorios, më 10 tetor 2020, një vit e 11 muaj përpara se e reja të vendoste t’i jepte fund jetës në qeli. Shqiptarja thekson se donte të fillonte nga e para, por kishte nevojë për ndihmë. Atë ndihmë, që në burg nuk kanë mundur t’ia japin.

Fatkeqësisht, për rrethana të ndryshme, letra nuk përfundoi në asnjë moment te Maria, që nëse do ta lexonte, ndoshta do të kishte fuqinë për të ndryshuar fatin e së resë. Kjo letër së fundmi ka përfunduar në duart e prindërve të Marias, disa muaj pas humbjes së vajzës së tyre.

“Maria…jam 26 vjeç, kam ende një jetë përpara, dua të qetësohem, të kem një të ardhme, të kthehem në kontakt me familjen time të mrekullueshme… Sot kam dëshirën, guximin dhe dua të ndryshoj, dua të filloj nga e para dhe të lë çdo gjë pas krahëve, kam nevojë për ndihmë, për të gjetur një punë”, ka shkruar Donatella me gjithë shpresën për t’ia dalë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit