16 herë i dënuar, veprat e rënda penale me të cilat ngarkohet Dibran Hoxhaj

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 03.01.2023, 22:29

Emri i tij nuk është krejtësisht i panjohur për publikun. Dibran Hoxhaj i njohur edhe si “Kobra”, ka një bagazh të madh prej problematiku.

E kaluara e tij kriminale tashmë është e njohur edhe për organet e rendit.

Lëndime të rënda e të lehta trupore, armëmbajtje pa leje, kanosje, dëmtim të pasurisë së huaj, janë vetëm disa nga veprat penale, për të cilat ai është dënuar plot 16 herë.

Prej tyre, Hoxhaj është gjobitur në 12 aktgjykime, kurse në katër të tjera është dënuar me kusht.

Në qershor të 2009-ës, ai ishte dënuar me 1 mijë euro gjobë për mbajtje të paautorizuar të armëve.

Për të njëjtën vepër penale, ishte shpallur fajtor dy herë edhe në vitin 2012.

Për veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”, pronari i “Cobra City” është dënuar në gjashtë herë brenda tre vjetëve.

Ndërsa, për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, ky personazh ishte ndëshkuar dy herë. Njëherë në vitin 2012 e në një rast tjetër edhe në vitin 2021.

E, për shkak të një rrahje, në vitin 2007 ishte burgosur gjashtë muaj.

Lokali i tij “Kobra City” që ndodhet në Prizren, ka pasur raste kur është bastisur nga Policia e Inspektorati Komunal.

Njëjtë ndodhi edhe mëngjesin e së martës, teksa policia arrestoi atë nën dyshimin se ka vrarë një 31-vjeçar nga Kukësi dhe ka plagosur një tjetër.

Faktin se ka shumë vepra penale, “Kobra” e kishte përmendur në emisione të ndryshme televizive, duke thënë se ka 198 vepra penale, por që të gjitha sipas tij kanë lindur pasi kishte hapur lokalin e tij “Cobra City”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit