FOTO/ Ekzekutori i Papës ishte shok me Aleksandër Sadikajn, si nisi konflikti me dy atentate për 700 kg hashash

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 03.01.2023, 12:20

Albano Velo, autori i vrasjes së Edmond Papës më 16 dhjetor të vitit të shkuar në zonën e Selitës, ishte shok i ngushtë me Aleksandër Sadikajn, i cili mbeti i vrarë pas një atentati të frikshëm me tritol në rrugën Sauk-TEG më 11 qershor të vitit të shkuar.

Ky detaj mund të lidhet ngushtë me këto dy ngjarje, që dyshohet se janë shkak-pasojë e njëra-tjetrës. Gjithçka mësohet të ketë nisur me një ngarkesë droge, e cila nuk është dërguar në destinacion. Dyshimet janë se Edmond Papa ka dorëzuar 700 kilogramë te Sadikaj dhe Velo, pa marrë paratë në këmbim.

Gjithçka ka shkuar keq dhe për pasojë nuk janë dhënë as paratë. Albano Velo kishte krijuar bindjen se Papa ishte porositësi i vrasjes së Aleksandër Sadikajt dhe u mobilizua për të ekzekutuar kundërshtarin, pas konfliktit të nisur për shkak të asaj ngarkese droge. Ai finalizoi gjithçka më 16 dhjetor me vrasjen e Papës.

Ekzistojnë disa foto të njëri-tjetrit nëpër rrjete. Velo është arrestuar më 31 dhjetor, teksa para hetuesve ka mohuar kryerjen e krimit. Velo dyshohet se ka qenë organizatori i vrasjes, teksa është shpallur në kërkim bashkëpunëtori A. B., 44 vjeç, banues në Tiranë.

Vrasja e Aleksandër Sadikajt ndodhi më 11 qershor në aksin Sauk-TEG, makina me targa AB077PO me të cilën ai po lëvizte, shpërtheu, si rrjedhojë e sasisë së madhe tritolit. Bomba me celulare dyshohet se i është vendosur nga persona që kishin akses te makina.

Nga shpërthimi, Sadikaj humbi dy këmbët dhe ia doli që të dilte vetë nga makina e të dërgohej në spital, por nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të rënda. Në vijim pritet të kemi akoma më shumë detaje rreth kësaj ngjarjeje, e cila shpresojmë të mos pasohet nga të tjera të këtij lloji.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit