Shqipëria mbetet ekonomia më pak e kredituar në Rajon, me diferencë të konsiderueshme nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Të dhënat krahasuese të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) tregojnë se raporti i kredisë ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto për vitin 2021 ishte 33.86%, në rënie nga niveli prej 35.52% i vitit 2020.
Megjithëse kreditimi për ekonominë u rrit me ritme dyshifrore, raporti pësoi rënie për shkak të rimëkëmbjes së shpejtë të ekonomisë reale nga efektet e pandemisë. Krahasuar me vitin 2019, kreditimi i ekonomisë shqiptare në terma realë paraqitet në rritje me rritje, me 1.59 pikë përqindje. Sidoqoftë, Shqipëria ngelet dukshëm ekonomia më pak e kredituar e Ballkanit Perëndimor.
Shifrat e FMN tregojnë se vendi më i afërt me Shqipërinë është Serbia, me 46.48% të PBB-së, e ndjekur nga Kosova, me 49.05%, Mali i Zi, me 52.71%, Bosnje-Hercegovina, me 52.84% dhe Maqedonia e Veriut, me 53.04%.
Kreditimi ende pakët i ekonomisë shqiptare është i dukshëm edhe sipas treguesit të numrit të huamarrësve në raport me popullsinë. Shifrat e FMN-së tregojnë që numri i huamarrësve nga sektori bankar në Shqipëri është më pak se 154 për çdo 1000 mijë persona në moshë madhore (ose rreth 15.4%). Për këtë indikator, Shqipëria renditet e dyta nga fundi në rajon, duke lënë pas vetëm Kosovë, ku numri i huamarrësve në raport me popullsinë në moshë madhore është afërsisht 13%. Për vendet e tjera të rajonit, angazhimi i popullsisë në hua nga sektori bankar është shumë më i lartë. Ky raport fillon nga 30% në rastin e Maqedonisë së veriut, deri në 55.5% në rastin e Serbisë.
Nënkreditimi i ekonomisë shqiptare mund të shpjegohet me disa faktorë, duke filluar nga mungesa e një tradite të konsoliduar të ekonomisë së tregut dhe zhvillimit të sektorit bankar privat. Sipas Monitor zhvillimi i këtij sektori në periudhën postkomuniste u frenua nga ngjarjet e vitit 1997 dhe nga proceset relativisht të vonuara të privatizimit të bankave me kapital shtetëror. Kreditimi përjetoi një ritme të shpejtë në periudhën 2004-2010, por më pas u ngadalësua gradualisht nga rritja e raportit të kredive me probleme. Sidomos pas vitit 2013, sektori bankar u orientuar kryesisht në menaxhimin dhe pastrimin e portofoleve nga kreditë e këqija dhe kjo bëri që portofoli i kredisë për ekonominë të qëndronte në stanjacion deri në vitin 2019, kur nisi një cikël i ri i rritjes.