Horror në Greqi, nëna 29-vjeçare hedh beben e saj në ujërat e akullt të lumit

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 02.01.2023, 13:28

Një tjetër ngjarje e rëndë ka ndodhur në Greqi, saktësisht në qytetin e Verias. Natën e Vitit të Ri një nënë 29-vjeçare ka hedhur në ujërat e lumit Aliakmona foshnjën e saj vetëm 11 muajshe. Më pas kalimtarët kanë gjetur trupin e pajetë dhe kanë lajmëruar menjëherë policinë.

Foshnja kishte lindur në janar të vitit 2022 dhe ishte një fëmijë jashtë martese, por që babai i vet e kishte njohur dhe pranuar. Gjatë kësaj kohe nëna e foshnjës ka pasur probleme të rënda psikologjike dhe është shtruar të paktën 10 herë në institucionet psikiatrike.

Së fundmi ajo i kishte ndërprerë mjekimet. Në darkën para mbërritjes së vitit të ri, e reja u largua bashkë me foshnjën nga shtëpia e prindërve të saj, për tu kthyer të nesërmen pa fëmijën e vet. Pyetjeve të vazhdueshme të prindërve ajo nuk u jepte përgjigje të qarta.

Prindërit kanë njoftuar më pas policinë dhe i kanë treguar rastin dhe situatën e vajzës së tyre. Kjo e fundit para hetuesve ka pranuar aktin e rëndë. Në dëshmi ajo ka thënë se e ka hedhur foshnjën e vet në ujërat e akullta të lumit në zonën e digës së Aliakmonasit.

Gjatë natës ajo është strehuar në një hotel, teksa akuzohet tashmë për vrasjen e fëmijës së vet. Gjithashtu pritet të zhvillohet edhe një hetim se si është lejuar një nënë e tillë me probleme kaq të rënda psikologjike të rrisë një fëmijë pa ndihmën e organeve përkatëse.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit