Kandidati i vetëm serb për zgjedhjet në Veri, Aleksandër Arsenijeviç, është tërhequr nga gara për zgjedhjet e 18 dhjetorit.
Lajmin për albanianpost, e ka konfirmuar zëdhënësi i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.
“Mund t’ua konfirmoj se më 2 dhjetor 2022, brenda afatit ligjor të vendosur nga KQZ-ja për tërheqjen e subjekteve politike, kemi pranuar njoftimin për tërheqjen e kandidatit të Iniciativës Qytetare “Srpski Opstanak”, Aleksandar Arsenijevic, nga gara për kryetar komune në Mitrovicën e Veriut”.
Ai sqaroi se, “në arsyetimin me shkrim që kemi pranuar, ai ka tërhequr kandidaturën e tij me vullnet të lirë”.
Aleksandër Arsenijeviç, ky është emri i të riut nga Mitrovica e Veriut që përbën figurën e fundit në skenën politike të Kosovës, por nga pala serbe.
Ai, bashkë me kolegë të tij, ka formuar një lëvizje qytetare me emrin “Mbijetesa Serbe”.
Arsenijevic kishte provuar të kandidojë për kryetar komune të Mitrovicë së Veriut në zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë, por u ndalua nga Komisioni Qendror Zgjedhor, pasi kishte një dënim për vepër penale dhe ishte dënuar me 300 euro.
Dënimi i ishte shqiptuar para dy vjetësh e dhjet muajsh, por sipas ligjit askush që ka në afat prej tri vjetësh një dënim me vendim të prerë për vepër penale nuk mund të kandidojë.
Arsenijeviç, një ish profesor kimie në Veri, të cilit nuk iu vazhdua kontrata, për siç thotë ai, shkaqe politike, ka kritika të mëdha për Listën Serbe.
Ai thotë se ata mashtrojnë serbët në Veri dhe nuk punojnë për qytetarët, por për xhepin e tyre.
“Ata duan të dëgjojnë heshtjen tonë dhe jo zërin tonë”, kishte thënë me një rast Arsenijeviç.
Ai ka kritikuar edhe Petar Petkoviçin, i cili është udhëheqës i delegacionit serb në dialogun Kosovë – Serbi në Bruksel.
“Ai s’është nga kjo anë dhe s’i kupton problemet tona”, thotë Arsenijeviç.
I riu serb është shfaqur i zëshëm sidomos kohëve të fundit, pas arritjes së Marrëveshjes për Energjinë në Bruksel mes Kosovës e Serbisë.
Bashkë me partnerët e tij në Lëvizje ai ka organizuar edhe një protestë kundër marrëveshjes, por të pranishëm ishin vetëm ata që thirren protestën.
Cila është mbështetja e Arsenijeviç në komunitetin e serbëve në Kosovë nuk ishte bërë e ditur, pasi ai nuk është matur asnjëherë në zgjedhje.