Gazetari që u bë fermer gomaricash: Nuk ishte e lehtë as t’i gjeje, nuk u pendova që lashë Tiranën

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 27.11.2022, 12:30

Me një fermë të rrallë, vetëm të dytën të tillë në Shqipëri, Elton Kikia thotë se përmbushi veten. Ai hoqi dorë nga profesioni i gazetarit dhe jeta në Tiranë, u kthye në fshatin e tij në Papër të Elbasanit dhe ka katër vjet që mban fermën e gomaricave.

“Nuk jetohet në fshat, është frazë që e dëgjoj shpesh”, thotë Eltoni.

Por, duke qenë gazetar, ka edhe shumë pyetje për ata që e thonë këtë:

“Çfarë mundësish ke apo mund të krijosh me tokën apo bagëtitë që ke? A e ke studiuar tregun, ekonominë, a ke bërë llogari se si mund ta ndryshosh këtë situatë? Nuk mjafton të dalim në të tilla përfundime”.

“Duhet ta vrasim mendjen se çfarë mund të bëj dhe a ia vlen? Nuk mund të presësh nga Zoti apo nga Qeveria”, thotë Eltoni për Radion Evropa e Lirë.

Sipas REL, pas 13 vjetësh në profesionin e gazetarit, ai thotë se ndihej i zhgënjyer. Jo nga profesioni që e ka ende pasion, por nga gjendja e gazetarisë në Shqipëri.

“Pagat e ulëta, trajtimi që u bëhet gazetarëve, kushtet në të cilat punojnë, mungesa e lirisë së fjalës dhe medias. Kështu që braktisja e gazetarisë erdhi si nevojë”, thotë ai.

Shqipëria, vazhdimisht, është kritikuar në raportet e organizatave ndërkombëtare për keqësimin e lirisë së mediave. Herën e fundit këtë muaj, kur Partnerët e Platformës së Këshillit të Evropës për Siguri të Gazetarëve, pas një misioni fakt-mbledhës në këtë vend, kanë deklaruar se liria e mediave atje është përkeqësuar më tej, për shkak të ndërhyrjes së pronarëve dhe të Qeverisë.

Eltoni thotë se, për një kohë, i mbajti të dyja punët.

“Kur pashë se sa mirë po ecte biznesi, zgjedhja ishte shumë e lehtë. Sigurisht që e zgjodha fermën”, thotë ai, duke shtuar se ajo i ofron edhe më shumë të ardhura, edhe më shumë kohë të lirë.

Zhgënjimi në gazetari, prej vitesh, i shoqërohej me mendimin se çfarë mund të bënte tjetër? Ai tregon se për dy vjet ka lexuar dhe ka diskutuar me ekspertë të ekonomisë se ku mund të fokusohet për të pasur sukses.

“Nuk mjafton të jesh me origjinë nga fshati që të bëhesh fermer dhe të ngresh biznesin tënd. Të duhet të studiosh tregun fillimisht. Kisha shumë ide në kokë, kur befas lexova se sa të suksesshme ishin në botë fermat e gomaricave dhe aty e mora vendimin”, kujton ai.

“E nisa me pesë gomarica. Nuk ishte e lehtë as t’i gjeje, sepse janë kafshë në zhdukje. Më është dashur të bredh në çdo cep të vendit”, thotë Eltoni.

Ai tregon se këto kafshë janë të lehta për t’u mbajtur, pasi nuk kërkojnë ndonjë kujdes të veçantë veteriner dhe nuk preken nga sëmundje të rrezikshme. Gjithashtu, nuk shpenzon për ushqyerjen e tyre, sepse hanë çfarëdo në natyrë.

Nga pesë gomaricat me të cilat nisi punën, sot ka 35.

“Brenda dy vjetëve të parë u bë biznes serioz, që donte kohë të menaxhohej. Kështu që u ndava përfundimisht nga gazetaria, nuk mund t’i mbaja më të dyja. Duhet të bëhesh agjent shitjeje, të gjesh tregun për qumështin e gomaricave, të gjesh klientët, të ruash marrëdhënien me ta. Kjo është ajo që bëj çdo ditë”, thotë Eltoni.

Qumështi i gomaricave është i njohur për vlerat ushqyese. Hulumtime të ndryshme tregojnë se ai ndihmon në rritjen e funksionit imunitar.

“Një litër qumësht gomarice kushton 50 euro. E kërkojnë kryesisht për sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes, për ata që vuajnë nga astma, për alergjitë... Në kohën e pandemisë COVID-19 e kanë kërkuar shumë për të shëruar pasojat që linte sëmundja”.

Nga të gjitha rrethet në Shqipëri vijnë dhe blejnë te ferma, po ashtu edhe nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, si dhe emigrantë të shumtë që vijnë në Shqipëri herë pas here”, tregon Eltoni.

Ai thotë se është i kënaqur me zgjedhjen e tij dhe aspak i penduar që ka lënë gazetarinë dhe Tiranën. Po qe se punon dhe fokusohesh në një projekt, mund t’ia dalësh, thotë Eltoni.

Një fermë e ngjashme gomaricash gjendet edhe në Delvinë, pjesa jugore e Shqipërisë.

Në një raport që ka publikuar BBC në vitin 2017 është thënë se gomarët në botë përballen me rrezik të ekzistencës, për shkak të kërkesës së madhe për lëkurën e tyre në Kinë.

Mishi i gomarit është gjithashtu ushqim i kërkuar, por rënia e madhe e numrit të gomarëve kinezë dhe fakti që ata janë të ngadalshëm në riprodhim, i ka detyruar furnitorët të kërkojnë gjetiu.

Afrika është goditur keq, sepse këto kafshë atje janë një pjesë e rëndësishme e transportit dhe bujqësisë – sidomos në komunitetet më të varfra. Uganda, Tanzania, Botsvana, Nigeri, Burkina Faso, Mali dhe Senegali kanë ndaluar eksportet e gomarëve në Kinë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
HEROI I MUAJIT
KLIKO PËR TË VOTUAR
  • Adoleshenti në semafor
    Kandidati i parë është adoleshenti , i cili, vrapoi në mes të semaforit të kuq, për të ndihmuar një grua, që mezi tërhiqte një karrocë dore. Ai e pa që ajo ishte në vështirësi dhe se jeshilja ishte hapur për makinat dhe vrapoi që ta ndihmonte.
    I riu nga Tirana
    Kandidati i dytë, është i riu, zemërgjerë dhe shumë fisnik, i cili ndaloi menjëherë, sapo pa që një qytetar nuk po ndihej mirë në rrugë. Shumë të tjerë kishin kaluar dhe e kishin parë, por vetëm ai ndaloi dhe priti aty derisa erdhi ambulanca.
    Studentja që diplomohet
    Kandidatja e tretë është studentja e universitetit Bujqësor, e cila u diplomua me rezultate të shkëlqyera, por preku të gjithë me dedikimin e saj për nënën, që sot nuk jeton më. Ajo tregon mes lotësh se gjithë ecurinë e saj akademike, ia dedikon nënës, që nuk e pa duke veshur uniformën e diplomimit.
    Ultrasit e ekipit të vllaznisë
    Kandidatët e katërt janë Ultrasit e vllaznisë. Ata nuk ngurruan të shprehin gatishmërinë e tyre, për të dalë në ndihmë të banorëve që u përmbytën në ditët me reshje shiu. Ata dolën krah forcave të emergjencave civile dhe atyre ushtarake.
    Gruaja fisnike, që shet misra
    Kandidatja e pestë është zonja që shet misra në zonën e 21 Dhjetorit. Ajo i erdhi në ndihmë menjëherë vajzës, që e provokoi se nuk kishte para për urban. Edhe pse mezi pret që të nxjerrë disa të holla, ajo nuk u mendua dy herë për të ndihmuar, vajzën, që në fakt po priste për gjestin e mirë të zonjës fisnike.
    Vajza zemërgjerë
    Kandidatja e gjashtë është vajza, e cila, me anë të një provokimi pozitiv, arriti të nxirrte anën fisnike, të qytetarëve të thjeshtë në Shqipëri. Ajo shpërbleu me 50 mijë lekë gruan që shet misra, e cila nuk ngurroi ta ndihmonte ata me paratë e urbanit, që supozohej se nuk i kishte.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit