Prej më shumë se tre ditësh, Top Channel dhe kryeministri Edi Rama nuk i kanë mirë punët mes tyre dhe mesa duket e gjitha kjo ka ardhur , pasi qeveria nuk i ka dhënë favore medias që supozohet të jetë e pavarur dhe Top Channel ka devijuar nga linja redaksionale.
Por pse ka ndodhur e gjithë kjo sipas Ramës, i cili me anë të disa dokumenteve, ka nxjerrë hapur, që deri dje i ka dhënë goxha favore Top Channel, ndërsa sot, që e ka lënë atë thatë, kjo media po e godet.
Sipas kryeministrit, Top Channel ka depozituar një kërkesë për të marrë 120 milionë lekë, në mënyrë që të promovojë punën e AZHBR-së në media, pra duke i bërë fresk qeverisë, që deri dje e ka mbajtur në pëllëmbë të dorës me taksat e shqiptarëve.
Mirëpo, kjo kërkesë nuk është pranuar dhe pikërisht këtu është ndezur baruti i goditjeve nga të dyja anët.
Top Channel ka refuzuar kasetat e gatshme dhe ka nisur punën që duhet ta kishte bërë që prej shumë kohësh. Gazetarët e ish-medias së kapur nga pushteti, kanë nxjerrë në pah disa të vërteta që i kanë djegur kryeministrit dhe sot po ndihet i zhgënjyer që media e tij e besueshme, po i bën opozitë, më shumë se opozita, që ai e ka kapur vetë.
Përmes një reagimi në Twitter, Edi Rama ka nxjerrë dokumentet e kërkesës dhe sipas tij, refuzimi i kësaj ka bërë që Top Channel të ndezë motorët e opozitës. Sipas kryeministrit kjo është metoda e gjobëvënies, ndërsa nuk thotë asgjë për kronikat e Top Channel, që dashur padashur nxjerrin të vërteta tronditëse se si paratë e fondeve të bujqësisë nuk shkojnë tek fermerët, por tek njerëz të lidhur me pushtetin. Ndër emrat që nxorri Top Channel si përfitues të këtyre fondeve ishte kunati i Saimir Tahirit, bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshit, një kandidat socialist për deputet etj.
“Ja për shembull se si funksionon shantazhi mediatik. Kërkohen 120mln lek nga AZHBR për t’u treguar shqiparëve kudo ndodhen sa mirë po ecën Shqipëria rurale. AZHBR s’e plotëson dot kërkesën e shpjeguar në shumë faqe se si e qysh tërë dynjaja do shohë shqip/anglisht suksesin e saj!” shkruan Rama në Twitter, pasi ka publikuar kërkesën e Top Channel.
Ja për shembull se si funksionon shantazhi mediatik.Kërkohen 120mln lek nga AZHBR për t’u treguar shqiparëve kudo ndodhen sa mirë po ecën Shqipëria rurale. AZHBR s’e plotëson dot kërkesën e shpjeguar në shumë faqe se si e qysh tërë dynjaja do shohë shqip/anglisht suksesin e saj! pic.twitter.com/SEQo8Hpc6E
— Edi Rama (@ediramaal) November 2, 2022
Ja edhe maska e medias në fjalë pasi nuk merr lekët e kërkuara me hir, në përpjekjen për t’i marrë me pahir duke helmuar opinionin publik me kronika të mbushura me gjysëm të vërteta (të cilat janë edhe rrenat më të mëdha), e të ambalazhuara me tituj bombastikë të gënjeshtërt… pic.twitter.com/Z5OdbKcsKU
— Edi Rama (@ediramaal) November 2, 2022
Thënë shkurt miq, kjo është lufta mes një media-je që akuzohet se vë gjoba dhe një kryeministri që deri dje jepte favore ndaj mediave dhe sot mërzitet se si po i serviren publikut të vërtetat e shkatërrimit të Shqipërisë në këto vite që ai ka qenë në pushtet.
E frikshme për shqiptarët të shohin se në vendin e tyre ka media që nuk tregojnë të vërtetën nëse blihen me para dhe të qeverisen nga një kryeministër që përkëdhel me para mediat që pranojnë kasetat e gatshme.