Shumë biznese në rrezik ekzistence, qeveria i kërcënon me gjoba

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 22.10.2022, 12:47

Qeveria dhe bizneset duket se po jetojnë në dy realitete të ndryshme. Bizneset po përballen me vështirësi të shumta, që po i çojnë ata shpesh në kufijtë e mbijetesës.

Kostoja e lëndëve të para është rritur për shkak të problemeve të shkaktuara në botë, fillimisht nga ndërprerja e zinxhirit të furnizimit nga COVID-19 dhe më pas nga sulmet e Rusisë mbi Ukrainën.

Energjia është 6-fishuar për bizneset e linjës 35 kv, që janë në treg të lirë dhe pothuajse u dyfishua për ata të linjës 6-20 kv (për momentin, çmimet janë të fiksuara, por nuk dihet sa do të zgjasë).

Fuqia blerëse ka rënë, për shkak të inflacionit, që është më i larti në 22 vjet dhe pritet të mbetet i tillë të paktën edhe vitin e ardhshëm. Gjetja e fuqisë punëtore është një mision pothuajse i pamundur, për shkak të emigracionit të lartë, duke i shtyrë bizneset të rrisin pagat, ndërkohë që produktiviteti po ulet nga shtrenjtimi i kostove.

Kostoja e parasë vetëm do të bëhet më e shtrenjtë, pasi të gjitha parashikimet e institucioneve pohojnë se inflacioni tashmë është një fenomen afatgjatë.

Në anën tjetër kemi qeverinë, që jo vetëm nuk rezulton se po e merr seriozisht situatën, por po u jep dhe goditjen e fundit bizneseve nëpërmjet paqartësive, pasigurive apo paqëndrueshmërive që po përçon në ambientin ekonomik.

Si gjithmonë, biznesi dhe sipërmarrja do të duhet të përballen, jo vetëm me ndikimet globale dhe vështirësitë e mjedisit ekonomik në tërësi, por dhe me nismat shtrënguese të Qeverisë, e cila zgjedh kohën më të pafavorshme për t’i zbatuar ato, e që kanë vetëm një rezultat të pritshëm: tkurrjen e konsumit, rritjen e varfërisë dhe përshpejtimin e një krize të mundshme.

Paketa e fundit fiskale është një tjetër dëshmi se si vetë qeveria po kthehet në një faktor që rrit rreziqet për bizneset. Në vend që të kthehej në një mjet, i cili do të stimulonte ekonominë dhe sipërmarrjet në këto kohë të vështira, ashtu siç ishte pritshmëria e bizneseve, paketa e vë theksin te shumëfishimi i gjobave, që në fakt vetëm sa dëshmon dështimin e saj në vite për të luftuar evazionin për shtigje, të cilat i ka hapur vetë.

Përse u bë një reformë e tërë për informatizimin e sistemit tatimor, nëpërmjet investimit gati 20 milionë euro në sistemin e ri të fiskalizimit, kur sërish po shkohet te gjoba, që dihet se është një mjet arbitrazhi në duart e administratës tatimore?

Pamundësia për të luftuar informalitetin e shtyu qeverinë të godasë direkt industrinë prodhuese të birrës, duke hequr diferencimin e akcizës, që në fakt ekziston në të gjitha vendet e Bashkimit Europian dhe të unifikonte akcizën në një nivel më të lartë.

Fabrikat, që prej vitesh po hasen me konkurrencën nga importi, kanë deklaruar tashmë se janë në rrezik falimentimi dhe rrezikojnë të lënë pa punë mbi një mijë punonjës. E njëjta gjë po bëhet dhe për industrinë e pijeve alkoolike.

E njëjta gjë me industrinë e fasonit. Pasi hoqi TVSH-në e nënkontraktove pak vite më parë, paketa e re tenton sërish ta rizbatojë atë, duke rënë si një rrufe në qiell të hapur mbi bizneset, që u gjendën të pakonsultuara dhe të papërgatitura.

Sikur të mos mjaftonte fakti që sektori prodhues vendas ka nivelin më të ulët të konkurrueshmërisë në rajon, politikat fiskale, në emër të barazisë tatimore dhe heqjes së përjashtimeve, po i ulin gjithnjë e më shumë aftësitë konkurruese.

Do të ishim dakord që trajtimi të ishte i barabartë për të gjithë, megjithatë përvoja ka treguar se kjo nuk ndodh asnjëherë dhe gjithnjë ka grupe interesi, të cilat arrijnë të gjejnë rrugën për të përfituar favore të ndryshme. Pak, ose aspak, kemi parë nisma që të tentojnë të rrisin konkurrueshmërinë e ekonomisë në tërësi, që do të ishte arma më e mirë për të luftuar krizën.

Komunikimi dhe arsyetimi nga qeveria është gjithnjë gjysmak. Nuk mungojnë asnjëherë idetë dhe nismat për paketat fiskale, të cilat peshojnë në kahun e rritjes së të ardhurave, përfshirë edhe faktin që pothuajse gjithmonë rrisin penalitetet e ngarkesën fiskale.

Por pothuaj kurrë nuk kemi komunikime transparente dhe me ndikim të dukshëm në përmirësimin dhe përgjegjshmërinë në kahun e shpenzimeve, edhe këto një element i rëndësishëm për rritjen ekonomike, kur përdoren me eficiencë.

Modeli i 30 viteve ka treguar se është keqpërdorimi i parave që zhbën çdo efekt pozitiv të politikave fiskale dhe nxit më tej evazionin. Rritja e gjobave pa zhbërë këtë model është tërësisht jo eficiente, përkundrazi do të rrisë edhe më tej kulturën e korrupsionit në vend.

Për momentin, vëmendja më e madhe e institucioneve është tek amnistia fiskale, pavarësisht kundërshtimeve të hapura, si nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, ashtu dhe nga Komisioni Europian, që kanë paralajmëruar se kjo nismë dëmton moralin tatimor, duket si kartë për evazorët dhe përbën rrezik për pastrimin e parave.

Nuk e dimë nëse qeveria e ka të qartë realitetin, por ajo po sillet sikur po jeton në botën e saj të çudirave, a thua se amnistia është shkopi magjik që do të zgjidhë të gjitha problemet! Ndërkohë që nuk heq dorë nga gjobitja. /Monitor

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
HEROI I MUAJIT
KLIKO PËR TË VOTUAR
  • I riu nga Tirana
    Është i riu, i cili bëri gjestin, që jo çdokush do e bënte. Pasi pa një qytetar, që hapi pusetën në mes të rrugës për të rënë makinat, i riu e ndoqi atë, derisa e kapi dhe e paralajmëroi që të shkonte të mbyllte pusetën, pasi do e denonconte në polici. Gjesti i këtij qytetari është për t'u duartrokitur, pasi shumë e shumë të tjerë nuk do e bënin.
    Vajza që gjeti Brajanin
    Kandidatja e dytë është vajza, e cila gjeti Brajanin e vogël, që ishte larguar nga shtëpia. I mituri ishte me autizëm dhe ajo u kujdes për të derisa të mbërrinin familjarët për ta marrë.
    Erion Veliaj
    I treti, është kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Kujtojmë se Veliaj dikur ka tregtuar fiq në trotuar. Gjithsesi, ai sot gëzon shumë pasuri dhe kjo nuk e ka penguar të jetë i thjeshtë duke shtyrë një person me aftësi ndryshe, në Maratonën e Tiranës. Qytetari i cili dërgoi foton në inbox raporton se përkundrejt dëshirës së Veliajt të jetë anonim, ai dhe 30 kameramanë të tjerë kanë shkrepur fshehurazi veprimin human.
    Aleks Visha
    I katërti, është personazhi i njohur, Aleks Visha, i cili organizoi sfidën në Tik Tok, me disa persona të tjerë për të ndihmuar Klevisin, 20-vjeçarin, i cili ndodhej në gjendje kritike për jetën. Për më pak se 33 orë, ai mblodhi 300 mijë euro, duke bërë kështu të mundur dërgimin e Klevisit në një nga spitalet më të mirë në Europë.
    Mjeku human
    Kandidati i pestë është mjeku nga Kosova, i cili në xhamin e makinës, kishte vendosur numrin e tij, që personat që nuk kanë mundësi ekonomike për t’u vizituar ta kontaktojnë dhe mund t’ua ofrojë shërbimin pa pagesë. Teksti i tabelës shkruan: “Nëse keni nevojë për mjek dhe nuk keni mundësi të paguani, atëherë më ndaloni”.
    Pasagjeri në urban
    I gjashti, është i riu që reagoi ndaj dhunimit së një gruaje nga një burrë në urbanin e Kombinatit. Sipas raportimeve nga vendngjarja ai mori në mbrojtje gruan, që u shty me forcë nga një qytetar.
    17-vjeçari nga Vlora
    Kandidati i shtatë është 17-vjeçari nga Vlora, që doli në mes të rrugës dhe ndaloi makinat për të shpëtuar zogun që po përpëlitej. Ai e mori zogun dhe e dërgoi në një qendër veterinare.
    Gjimnazisti jo-servil
    Kandidati i tetë, por jo për nga rëndësia, është gjimnazisti, i cili, ndryshe nga të rinjtë e tjerë, i përplasi Ramës disa të vërteta në sy. Ai nuk ndoqi shembullin e bashkëmoshatarëve të tjerë, që në takimet me kryeministrin u servilosen, por tha disa fakte, që u duartrokitën nga të gjithë.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit