Imami Berisha: Ma çanë kafkën, ende jam në pushim mjekësor

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 17.10.2022, 15:54

Zeqir Berisha, imam në xhaminë e Lupçit të Poshtëm të Podujevës, u rrah brutalisht mbrëmjen e 21 korrikut pasi doli nga vetura e tij për ta falë namazin e jacisë. Imami qëndroi rreth tri javë i shtrirë në spital, por akoma ndodhet në pushim mjekësor për shkak të lëndimeve të rënda trupore që i janë shkaktuar. Dy muaj pas sulmit, Imami Zeqir Berisha rrëfen ngjarjen.

Imami Zeqir Berisha nuk është rikthyer akoma në xhami sepse gjunjët nuk i janë shëruar, kësisoj nuk po arrin që të bëjë namaz.

Imami Berisha tha se nuk e ka pritë sulmin fizik ndaj tij, teksa shton se të dyshuarit e goditën prapa shpinës me mjete të forta duke e lënë pa vetëdije.

“Unë s’e kam pritë atë sulm sepse kam shkuar në xhami, ne kemi pas disa fërkime të vogla ashtu por, jo në atë nivel që të më sulmojnë. Unë kam shku me kry detyrën time, kam shku me falë namazin e jacisë dhe ndodhi në mënyrë tinëzare mbrapa. Pasi e kam parku makinën aty pranë xhamisë e kam mbyllur kam tentu me hy në xhami, atëherë nga mbrapa më kanë sulmu edhe jam alivanos kam ra në tokë, s’kam ditë gjë më. Unë s’i kam pa asnjë sepse më kanë sjellë nga mbrapa, edhe intervistën kur e kam dhënë në prokurori kam thënë që sulmi ka qenë nga mbrapa”, tha Berisha për Gazetën Express.

Nga goditjet e forta, Imamit i është çarë edhe kafka, ka pësuar lëndime në fytyrë, në dorë dhe në gjunjë.

“Më kanë goditë në kokë me mjete të forta saqë edhe kafka është çarë. Kur më kanë dërgu në spital ka qenë rrezik me shpërthy oksigjeni nga truri i madh, derisa më kanë dërgu në spital në Emergjencë në Prishtinë nuk kam ditë asgjë, atje më ka ardhë vetëdija pak, derisa më kanë shti në operacion. Kam qenë i lënduar në fytyrë, kam pas krisje të dorës, lëndim të gjunjëve”, tha Berisha.

Si pasojë e këtyre lëndimeve, ai ka qëndruar tri javë i shtrirë në spital si dhe ka hyrë në dy operacione.

“Tri javë kam qëndrua në spital, dy operacione i kam pas. Tani jam në shtëpi”, tha ai.

I pyetur nëse ka mbrojtje të afërt, Imami u përgjigj:

“Nuk kam mbrojtje të afërt, jam në pushim mjekësor. Në xhami me marrë përsipër akoma s’kam vendos sepse gjunjët i kam të lënduar dhe nuk po mundem me ra në gjunjë me u fal”.

I pyetur se a pret që të rikthehet në xhami, Berisha tha se shpreson rikthimin pas shërimit të gjunjëve.

“Shpresoj që sa të më shërohen gjunjët”, u shpreh ai për Gazetën Express.

Imami Berisha për më shumë se dy muaj, që kur ka ndodhur sulmi fizik ndaj ti po zëvendësohet nga një hoxhë tjetër në xhaminë e Lupçit të Poshtëm.

“Këshilli i Bashkësisë Islame në Podujevë e ka dërgu një hoxhë i cili më zëvendëson mua”, tha ai.

Në media u raportua se një nga motivet e mundshme pse u sulmua imami lidhet me një grup vehabist që kanë tentuar të praktikojnë një mënyrë tjetër të faljes së namazit.

“Sipas gjitha rrethaneve unë kam pas mospajtim me këtë grupin vehabist që është shumë i papërgjegjshëm, e kam këshilluar që të falen sikur ne mos të në bajnë ngatërresa e përçarje në xhemat. Mirëpo ata kanë vazhduar avazin e tyre, kështu që unë jam i bindur që prej grupit të tyre. Unë në atë moment nuk i kam parë, policia po e heton rastin”, tha imami.

I pyetur se sa persona i ka ky grup vehabist, ai tha:

“Këta janë kanë të veçantë, ka edhe disa të tjerë por nuk kanë qenë të ashpër”.

Sipas informacioneve që ka Imami nga avokati i tij mbrojtës, tre të dyshuarve u është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj të tjerë.

“Intervistën e kam dhënë në prokurori pasi kam dalë nga spitali. Avokati mbrojtës më tha që nuk ka ndonjë gjë të re akoma. Pala tjetër nuk ka pranu avokat. Të dyshuarit janë në paraburgim, në fillim kanë qenë një muaj pastaj ju është shtuar paraburgimi edhe për dy muaj”, përfundoi Imami Zeqir Berisha.

Për sulmin ndaj imamit Zeqir Berisha policia ka arrestuar tre vëllezër nga ky fshat, të njëjtëve më pas i ishte caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tre muajve.

Pas sulmit të rëndë ndaj imamit të Lupçit kishte reaguar edhe Bashkësia Islame e Kosovës.

Në një reagim të bërë BIK-u ka dënuar sulmin dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të distancohen nga autorët e sulmit.

“Dënojmë me ashpërsinë më të madhe sulmin mbi imamin e xhamisë së fshatit Lupç, të komunës së Podujevës, Zeqir ef. Berishës. Sulmi i mbrëmshëm mbi imamin në hapësirat e xhamisë, në vendin e tij të punës, është akt i papranueshëm, madje përveçse sulm mbi imamin është edhe atak mbi xhaminë dhe xhematin e respektuar”, thuhej ndër të tjera në reagimin e BIK-ut.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
HEROI I MUAJIT
KLIKO PËR TË VOTUAR
  • Qytetari nga Tirana
    Qytetari nga Tirana, i cili çdo ditë, shkonte në fshatrat e Tiranës dhe ushqente qentë e rrugës. Ai merrte bukë nga shtëpia dhe shkonte ua hidhte qenve, të cilët gëzonin duke tundur bishtin sapo e shihnin.
    Vajza nga Shkodra
    Vajza nga Shkodra, shitëse në një market, e cila u përball me dhunën e të moshuarit, i cili godiste pa pushim një qen, me një copë dru në dorë. Sapo pa që qeni po dhunohej, vajza ndërhyri dhe tërhoqi nga bluzja të moshuarin, që dukej që nuk do ndalej nga goditjet ndaj qenit.
    I moshuari invalid
    I moshuari invalid, i cili, rregullon rrugën e lagjes, pasi Bashkia e Tiranës i ka harruar qytetarët. Qytetari është 'hero' në komunitetin e tij. Kur askush nuk ndjen përgjegjësi, ai bën aq sa mundet vetë.
    I riu guximtar
    I riu, që pa u menduar dy herë, ndaloi makinën dhe i erdhi në ndihmë qytetarit që u aksidentua në mbikalimin e Selitës, në Tiranë, pak ditë më parë. Makina ishte pothuajse e përmbysur, kur i riu shqeu xhamin e përparmë dhe nxorri nga makina të aksidentuarin. Ai gjithashtu, qëndroi me të duke e mbështetur pas atij aksidenti të rëndë.
    Djali i pastrehë
    Djali i pastrehë në Lushnje, i cili duke mbledhur kanoçe dhe bidona në një nga koshat e plehrave, gjeti një këlysh dhe po e ushqente me atë pak bukë që kishte për vete. Pavarësisht varfërisë që ai përballej vetë, i riu lushnjar nuk e mendoi dy herë që t'i vinte në ndihmë qenushit. Madje ai e mori atë në shtëpi.
    Dy vajza zemërgjera
    Dy vajza, të cilat, panë në koshin e plehrave një burrë, që po ushqehej me ç’të gjente aty. Vajzave u erdhi keq për atë që panë dhe blenë ushqim për të.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit