Opozita: Kurti nuk e kupton ekonominë, shteti nuk mbahet me vitra

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 16.10.2022, 20:54

Krerët e partive opozitare edhe gjatë kësaj jave kanë adresuar kritika në drejtim të Qeverisë Kurti, ku fokusi i tyre më shumë ishte fusha e ekonomisë.

Lumir Abdixhiku i LDK-së tha se kryeministri Albin Kurti nuk e kupton ekonominë, kurse Ramush Haradinaj e quajti mashtrues ordiner, ndërsa Memli Krasniqi kishte edhe një kërkesë.

“Jemi në krizë, Kurti nuk e kupton ekonominë, veç propagandën”

Abdixhiku i LDK-së në një postim që bëri para gjashtë ditësh tha se vendi është në krizë, dhe se në dy vite të qeverisjes Kurti janë thyer disa nga rekordet më negative ekonomike në vend, shkruan Reporteri.net.

“Albin Kurti nuk e kupton ekonominë. Por e kupton propagandën. Fatkeqësisht, propaganda nuk e bën ekonominë, por ai angazhohet vetëm për këtë të parën. Në dy vitet e tij të qeverisjes, janë thyer disa nga rekordet më negative ekonomike në vend. Tre treguesit kryesorë makroekonomik, ai i inflacionit, i deficitit tregtar e i rritjes ekonomike, japin sot pasqyrën e vërtetë në vend”, tha Abdixhiku.

Ai shtoi se që nga dita e parë e punës së Kurtit si kryeministër e deri më sot, çmimet janë rritur për 20%.

“Ky numër është rekord. I paparë ndonjëherë. Për krahasim, në Shqipëri inflacioni është vetëm 8%. Produktet bazike si buka, mielli, qumështi, vaji, vezët, rryma e derivatet janë sot dy-tre fish më shtrenjtë se sa që ishin dy vite më parë. Por ai këtë rritje të çmimeve nuk e sheh. Inflacionin, madje, e interpreton si sukses; thotë se është rritur qarkullimi i bizneseve për 20% e janë rritur të hyrat e buxhetit për 20%. Nuk është rritur as qarkullimi e as të hyrat – në terma real – janë rritur vetëm çmimet. Dhe atë për 20%”, tha ai.

Kreu i LDK-Së tutje shtoi se Kurti përmend rritjen e eksportit, por qëllimisht nuk e përmend të importit.

“Preferon të përmendë rritjen e eksportit për 300 milionë, por qëllimisht nuk përmend rritjen e importit për 2 miliardë e 300 milionë. Po pra; 2 miliardë e 300 milionë euro më shumë importe për dy vitet e tij. Më 14 shkurt të vitit 2021, deficiti tregtar në vend – pra diferenca mes importeve e eksporteve – ishte 3 miliardë euro. Në fund të këtij viti kjo diferencë pritet të arrijë frikshëm në plot 5 miliardë; rekord i paparë ndonjëherë. Pra për 20 vjet, në gjithë mbrapshtësinë ekonomike, Kosova ka patur diferencë prej 3 miliardëve eurove mes importeve dhe eksporteve në vend. Dy vite me të, ky hendek është thelluar për plot 2 miliardë shtesë. Aq shumë ka katandisur me mosveprim bazën prodhuese në vend, sa që gjenerata të tëra do të bartin këtë pasojë”, ka shkruar tutje ai.

Ai adresoi kritika edhe për rritjen e vogël ekonomike që parasheh Banka Botërore dhe mungesen e investimeve kapitale në vend.

“- Flet për rritje ekonomike në vend, por sipas Bankës Botërore, Kosova – përjashto pandeminë – do të shënojë sivjet rritjen më të ulët ekonomike në 10 vjet. Me vetëm 3.1% rritje, për herë të parë në një dekadë, vendi ynë do të ketë rritje nën mesataren e asaj në Ballkan. Kaq është zhvillimi i tij sivjet. – Investimet kapitale në vend, ato që shtyjnë vërtetë ekonominë, janë në realizimin më të ulët historik. Edhe gjatë kohës së pandemisë e mbylljes totale në vend, Kosova kishte realizm më të lartë se që ka sot. Mendojeni pak këtë; të punosh më pak se në pandemi. Me vetëm 9% punë të kryera nëpër ministri, ai ka bllokuar ekonominë. Sot mbanë 700 milion euro në bankë, pa e kuptuar se me inflacion prej 20% i ka zhvlerësuar mbi 140 milionë euro prej tyre”, ka drejtuar akuza Abdixhiku.

Ai shton tutje se për Kurtin nga zyra e tij rryma është e lirë, ndërsa paralajmëroi se dimri do të jetë i vështirë.

“Albin Kurti flet për zhvillim ekonomik i shkëputur nga realiteti shoqëror në vend. Nga zyra e tij, rryma është tani e lirë, produktet bazike mbesin me taksë, punëtorët s’merritojnë paga më të larta, e zhvillimi është i mundshëm veç me fjalë. Kështu ai tregon se as nuk i njeh e as nuk i kupton hallet e qytetarëve të vet. Një kryeministër i denjë do të njihte krizën për fillim. Një kryeministër i mbarë do të pranonte vështirësitë që qytetarët kanë sot. Le të dalë të flasë me njerëzit e këtij vendi për të kuptuar papërballueshmërinë. Le të flas me punëtorë e ta kuptojë se si mbijetohet sot në këtë rritje të frikshme të çmimeve. Le të flas me ta për ikjet masive, për kolapsin në ekonomi, për krizat në arsim e dështimet në shëndetësi. Mbi të gjitha në vend të përrallave për zhvillim, le t’iu flasë për dimrin e vështirë energjetik tek i cili po i futë njerëzit tërësisht pa përgatitë. Jemi në krizë!”, ka shkruar ai, shkruan Reporteri.net.

“Kurti një mashtrues ordiner, jetesa në Kosovë po bëhet e papërballueshme”

Edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka adresuar kritika ndaj Kurtit gjatë kësaj jave, ndërsa ka shkuar më tej duke e quajtur mashtrues, ndërsa ka thënë se jeta në Kosovë po bëhet e papërballueshme.

“Shteti nuk mbahet me “vitra” Jetesa në Kosovë po bëhet e papërballueshme, si pasojë e rritjes pa kontroll të çmimeve, e Kryeministri në stilin e një mashtruesi ordiner, provon që duke ndarë lëmoshë t’i mbajë “gjallë” pensionistët të cilët me aq sa marrin nuk i sigurojnë dot as ilaqet”, ka shkruar Haradinaj në Facebook para katër ditësh.

Ai tutje ka kërkuar nga kryeministri të rritë pagat e pensionet.

“Shteti nuk mbahet me “vitra”, herë 50 euro e herë 100 euro! Zgjidhja është me masa të përhershme. Rriti pagat e pensionet e mos e shndërro shtetin në “cirk social”. Pensionistët kanë nevojë për dinjitet e jo për lëmoshë. Nëse nuk di, merr shembull nga shtetet përreth”, ka shkruar ai.

Haradinaj ka bërë edhe një postim para gjashtë ditësh në Facebook ku poashtu adreson kritika ndaj kryeministrit Kurti duke thënë se deklaratat për rritje ekonomike, pa fakte, janë ofendim për një vend e për një popull të tërë!

“Faktet janë kokëforta!

Rritja ekonomike sipas Bankës Botërore është 3.1% e jo siç e projektuat ju 10.5%. Inflacioni, poashtu sipas Bankës Botërore, është 19.1%. Kjo i bjen se fuqia blerëse e qytetarit të Kosovës, është përgjysmuar. S’ka si të jetë ndryshe, kur janë shtrenjtuar gjithë artikujt e domosdoshëm për jetesë, e qeveria e ka bllokuar Ligjin e Pagave! E ka bllokuar edhe ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, siç ishte “Kosova e Re” dhe gazsjellësi amerikan, me arsyetime qesharake, se megavati prej 80 eurove i dukej i shtrenjtë, e sot, çmimi i tij pothuajse është dhjetfishuar. Nga 706 milionë të planifikuara me buxhetin e shtetit për investime kapitale, janë realizuar vetëm një e dhjeta e tyre. Në çdo sferë ekonomike e sociale ka rënie drastike. Rritje kanë shënuar vetëm importet e mallrave nga Serbia. Kjo qeveri e ka kapërcyer çdo parashikim dhe importet nga Serbia prej 174 milionë në vitin 2020, kanë mbërritur në mbi 306 milionë euro, që është për 76 % më shumë nga viti paraprak. Prandaj deklaratat për rritje ekonomike, pa fakte, janë ofendim për një vend e për një popull të tërë!”, ka shkruar ai.

Krasniqi një thirrje për Kurtin

Ndërsa, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, nuk ka shkruar ndonjë status ku direkt sulmon kryeministrin Kurti, por para dy ditësh ka bërë postim një Facebook, ku i bën thirrje Qeverisë që të nisë menjëherë procedurat e aplikimit për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Kisha kënaqësinë të pres në Prishtinë Komitetin Drejtues të Rrjetit të Partive Liberale të Evropës Juglindore (LIBSEEN), anëtare e së cilës është edhe PDK, me të cilët miratuam propozimin tonë për Deklaratën e Prishtinës për Mbështetjen e Liberalizimit të Vizave dhe Statusit Kandidat të Kosovës për anëtarësim në BE. Deklarata thekson se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një proces i vonuar prej kohësh, sepse Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara qe shumë vite. Po ashtu, ftojmë Qeverinë e Republikës së Kosovës që të nisë menjëherë procedurat e aplikimit për Statusin e vendit Kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Rrjedhimisht, në këtë fazë vendimtare të këtyre proceseve, përmes kësaj deklarate, ne kërkojmë nga Bashkimi Evropian që të përmbushë premtimet e dhëna ndaj Kosovës, për të ruajtur kredibilitetin dhe reputacionin e saj si një partner i besueshëm. Kjo është thelbësore për reformat e përgjithshme në kontekstin e integrimit evropian, proceseve të vazhdueshme demokratike që po kalon Kosova dhe marrëdhënieve rajonale dhe fqinjësore”, ka shkruar ai.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
HEROI I MUAJIT
KLIKO PËR TË VOTUAR
  • Qytetari nga Tirana
    Qytetari nga Tirana, i cili çdo ditë, shkonte në fshatrat e Tiranës dhe ushqente qentë e rrugës. Ai merrte bukë nga shtëpia dhe shkonte ua hidhte qenve, të cilët gëzonin duke tundur bishtin sapo e shihnin.
    Vajza nga Shkodra
    Vajza nga Shkodra, shitëse në një market, e cila u përball me dhunën e të moshuarit, i cili godiste pa pushim një qen, me një copë dru në dorë. Sapo pa që qeni po dhunohej, vajza ndërhyri dhe tërhoqi nga bluzja të moshuarin, që dukej që nuk do ndalej nga goditjet ndaj qenit.
    I moshuari invalid
    I moshuari invalid, i cili, rregullon rrugën e lagjes, pasi Bashkia e Tiranës i ka harruar qytetarët. Qytetari është 'hero' në komunitetin e tij. Kur askush nuk ndjen përgjegjësi, ai bën aq sa mundet vetë.
    I riu guximtar
    I riu, që pa u menduar dy herë, ndaloi makinën dhe i erdhi në ndihmë qytetarit që u aksidentua në mbikalimin e Selitës, në Tiranë, pak ditë më parë. Makina ishte pothuajse e përmbysur, kur i riu shqeu xhamin e përparmë dhe nxorri nga makina të aksidentuarin. Ai gjithashtu, qëndroi me të duke e mbështetur pas atij aksidenti të rëndë.
    Djali i pastrehë
    Djali i pastrehë në Lushnje, i cili duke mbledhur kanoçe dhe bidona në një nga koshat e plehrave, gjeti një këlysh dhe po e ushqente me atë pak bukë që kishte për vete. Pavarësisht varfërisë që ai përballej vetë, i riu lushnjar nuk e mendoi dy herë që t'i vinte në ndihmë qenushit. Madje ai e mori atë në shtëpi.
    Dy vajza zemërgjera
    Dy vajza, të cilat, panë në koshin e plehrave një burrë, që po ushqehej me ç’të gjente aty. Vajzave u erdhi keq për atë që panë dhe blenë ushqim për të.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit