Çmenduritë e Mirlindës”/ AKSHI i jep 712 milionë Grigor Jotit për të menaxhuar denoncimet korruptive për Ulsi Manjën

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 15.08.2022, 22:28

Një çmenduri e vërtetë mund të cilësohet tenderi i mëposhtëm, si në terma financiarë ashtu edhe në terma praktikë. Kështu rezulton se Mirlinda Karçanaj, drejtoresha e AKSHIT ka organizuar një tender ku do të harxhojë mbi 700 milionë lekë të vjetra për të menaxhuar denoncimet që vijnë në adresë të Ministrisë së Drejtësisë të drejtuar nga Ulsi Manja.

Shifra është jashtëzakonisht e egzagjeruar për një arsye tepër të thjeshtë. Sado i madh të jetë numri i mesazheve, mjafton një databazë e thjeshtë ku të hidhen të dhënat e cila natyrisht nuk kërkon kaq shumë kosto si dhe një apo dy punonjës të stafit të ministrisë për të hedhur të dhënat në databazë.

Më konkretisht bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-33085-06-16-2022 dhe me objekt “Sistemi elektronik i menaxhimit të denoncimeve mbi rekordet korruptive- për Ministrinë e Drejtësisë”. Fondi limit i kësaj procedure është 63,146,980 lekë të reja pa TVSH ose rreth 750 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Duke parë dokumentacionin e tenderit në fjalë, shikohet se kanë marrë në garë vetëm dy pjesëmarrës, “IkubINFO” dhe “Infosoft Systems” në pronësi dhe me lidhje me Grigor Jotin dhe “Intech +” me lidhje me Ilir Beqajn.

Të dy këta garues janë ndërkohë edhe ndër fituesit më të mëdhenj të tenderave që ka dhënë Mirlinda ndër vite. Nëse krahasojmë në fakt edhe dy ofertat vihet re një afërsi në vlerë, diçka tipike kjo kur pjesëmarrësit “bëjnë pazar” së bashku dhe fituesi është paracaktuar që në fillim.

Këtë dyshim e shton edhe fakti se vlera fituese, që në këtë rast është e Grigor Jotit në shifrën prej 59,358,161 lekë të reja pa TVSH ose 712 milionë lekë të vjetra me TVSH, është thuajse e njëjtë me atë të fondit limit të tenderit. Më konkretisht vlera e ofruar nga Joti është sa 94% e fondit limit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit