Bëri drift në mes të rrugës: Pas publikimit në JOQ, policia procedon 17-vjeçarin pa patentë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 04.08.2022, 19:24

Mbrëmjen e kaluar JOQ ALBANIA publikoi videon e një të riu i cili bënte drift në mes të natës në qytetin e Fierit. Duke marrë shkas nga kjo video, Policia në Fier ka identifikuar dhe proceduar penalisht drejtuesin e automjetit i cili nuk është i pajisur me leje drejtimi, pasi është vetëm 17-vjeç.

Mësohet se bashkë me të është proceduar penalisht edhe babai i tij, shtetasi me iniciale A. N., 53 vjeç, pasi edhe ai drejtonte automjetin tip “Citroen” pa leje drejtimi.

Njoftimi i policisë:

Bëri drift dhe manovra të rrezikshme në rrugë, identifikohet dhe procedohet penalisht drejtuesi i automjetit, i cili nuk ishte i pajisur me leje drejtimi. Procedohet penalisht edhe pronari i automjetit (babai i drejtuesit), pasi rezultoi se kishte drejtuar automjetin, pa leje drejtimi. Pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, në të cilën shfaqej një automjet tip “Citroen”, drejtuesi i të cilit po bënte drift dhe manovra të rrezikshme, në vendin e quajtur “Rotondo e sharrës”, Fier, shërbimet e Policisë Rrugore Fier bënë të mundur identifikimin e drejtuesit të automjetit.

Në vijim të veprimeve, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Fier referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin E. N., 17 vjeç, banues në Ndërnënas, Fier, për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, pasi ka bërë drift dhe manovra të rrezikshme, me automjetin tip “Citroen”, të cilin e drejtonte pa leje drejtimi.

Gjithashtu, nga hetimet rezultoi se automjeti është drejtuar pa leje drejtimi edhe nga pronari, shtetasi A. N., 53 vjeç, banues në Ndërnënas, Fier (babai i 17-vjeçarit), për të cilin filloi gjithashtu procedimi penal për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit