Ergys Verdho i KESH harxhon 1.8 miliardë për të parashikuar kohën në tenderin fiktiv

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 21.07.2022, 20:42

Ju kujtohet “Gysi” i famshëm? Një herë e një kohë publikohej thuajse përditë pasi kur drejtonte Autoritetin Rrugor Shqiptar tenderat e dyshimtë që ai jepte lart e poshtë ishin thuajse të pafundëm. Por duket se Ergys Verdho nuk e ka harruar aspak vesin edhe tani që drejton Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare. Ai ka organizuar një tender kryekëput fiktiv për parashikimin kohës.

Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-32316-06-09-2022 dhe me objekt “Furnizim vendosje i komponentëve plotësues për sistemin satelitor të parashikimit meteorologjik, Faza II”. Po përse është një tender fiktiv? Përtej motivit të tenderit, rezulton se në garë kanë marrë pjesë vetëm dy firma, nga të cilat njëra ka marrë pjesë sa për numër pasi ka ofruar zero lekë. Natyrisht nuk ka asnjë kuptim që dikush që hyn në një garë të ofrojë zero lekë, përveç rasteve të dyshimta kur fituesi është paracaktuar dhe duhet edhe ndonjë garues tjetër sa për të thënë se ka patur garë.

Në rastin konkret kuptohet qartë se jo vetëm nuk ka patur garë por tenderi me shumë mundësi është kryekëput fiktiv. Një tjetër indicie që e rrit akoma më tepër dyshimin për këtë është edhe afërsia e vlerës fituese me fondin limit. Rezulton se fituese është shpallur firma ISEC në pronësi të Arsona Hoxhaj në bashkëpunim me firmën “A-T-D Albanian Technology Distribution” në pronësi të Nursen Metuli, me vlerën e ofruar prej 148,990,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 1.8 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Kjo vlerë rezulton të jetë sa 99.33% e fondit limit të tenderit. Dhe përballë këtyre fakteve ne nuk kemi se ç’të themi tjetër veçse: “Jepi Gysi”!

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit