Juventusi “djeg” Interin, Bremer drejt bardhezinjve

Shkruar nga: Enea Prenjasi | Publikuar më: 19.07.2022, 14:10

Zbulimi i sezonit të kaluar në Serinë A, mbrojtësi Gleison Bremer është gati që t’i japë lamtumirën Torinos. Interi e pret prej kohësh, por së fundmi, në skenë fuqishëm ka dalë Juventusi dhe ndoshta lojtarit nuk do t’i duhet të ndërrojë qytet, por thjesht emrin e skuadrës.

Kur dukej i sigurt transferimi i tij tek Interi, Juventusi ka bërë që takimi i djeshëm në seli mes administratorit Xhuzepe Marota dhe presidentit Stiven Zhang të shkojë dëm. Të sigurt edhe nga shitja e Matajs de Ligtit te Bajerni i Mynihut, Juventusi e ka thërrmuar ofertën e bërë nga zikaltrit.

“Zonja e Vjetër” ka dashur që t’u presë këmbët rivalëve të përjetshëm me një ofertë që nuk linte shpëtim: 40 milionë euro, plus 5 milionë të tjera bonuse për Torinon, e cila duke parë 15 milionë euro më shumë në “pjatë” ka pranuar.

Sapo janë informuar nga presidenti Kairo për ofertën bardhezi, zikaltrit janë tërhequr me justifikimin se “Interi nuk është një klub që bëhet pjesë e ankandeve” dhe kjo bën që Gleison Bremer, me shumë mundësi do të vishet bardhezi.

Madje, Juventusi nuk i ka lënë shpëtim Interit edhe lidhur me ofertën për rrogën, duke qenë se nga 3.5 milionët plus 500 mijë euro bonuse të Interit, torinezët i kanë ofruar 5 milionë neto 25-vjeçarit. Dhe në të tilla shifra duket se e ardhmja e lojtarit është e shkruar të jetë te Juventusi.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit