Mbi 500 mjekë në Kosovë janë të papunë

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 02.07.2022, 21:54

Qindra profesionistë shëndetësorë janë të regjistruar si të papunë në Odën e Mjekëve të Kosovës. Drejtues të kësaj organizate e shohin si urgjente intervenimin e institucioneve për të ndryshuar menaxhimin e sistemimit të punëtorëve shëndetësorë sipas nevojës që kanë institucionet.

Shkollimi për të arritur titullin e mjekut është i gjatë. Por, kjo nuk është sfida e vetme e qindra mantelbardhëve të cilët pas përfundimit të studimeve mbetën papunë.

Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, thotë se në këtë organizatë janë të regjistruar 598 mjekë të papunë dhe prej tyre 42 specialistë të fushave të ndryshme. Siç raporton RTK, kjo gjendje sipas tij është e papranueshme dhe mungesë menaxhimi.

“Psh. spitalet rajonale ankohen se nuk kanë gjinekologë e ne kemi më shumë se 11 të papunë, shumë ambulanta të mbyllura, mjek ka të papunë dhe kur qiten duhet të kenë stimulime dhe duhet të respektohet edhe kushti i shërbimit në institucionet shëndetësore kur kryhen specializimet”, pohon ai.

Sejdiu madje kërkon që të respektohet kushti që pas specializimit profesionistët shëndetësorë të angazhohen në institucionet ku ka nevojë.

“Kjo është në tavolinë, por duhet të monitorohet bordi i specializimeve pse nuk u respektua kushti që pas specializimit mjekët të angazhohen ku ka nevojë”, thotë ai.

Ndërsa, Xhemajl Selmani nga Sindikata e QKUK-së, thotë se duhet të merren veprime nga ministria për ta ndryshuar situatën.

“Duhet të ketë një plan zhvillimori cili duhej të ndiqej në etapa që mjekët të mos mbeten pa punë”, deklaron ai.

Selmani thekson se këto probleme janë pasojë e mostrajtimit me prioritet të sektorit.

“Se ka kjo qeveri prioritet të shëndetësisë”, shton ai.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit