Pritet dimër i vështirë për rrymë dhe gaz

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 02.07.2022, 13:02

Ballkani Perëndimor si dhe Evropa pritet të ballafaqohen me një dimër të vështirë lidhur me furnizimin me energji elektrike dhe me gaz. Në Maqedoninë e Veriut përskaj shtrenjtimit të rrymës prej 7.4 për qind dhe vendosjes së katër tarifave, kompetentët qetësojnë opinionin se nuk do të ketë ndërprerje të përkohshme në furnizimin me energji elektrike, ndërsa shtojnë se po bëhen përpjekje maksimale për të rritur prodhimtarinë vendore të rrymës, si dhe po bëhen negociata edhe për furnizimin pa probleme me gaz natyror.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi thotë se nuk do të ketë restrikcione të rrymës, përkundër faktit se do të kemi një dimër të vështirë për rajonin dhe në aspekt global për shkak të krizës në energjetikë. “Maqedonia e Veriut po punon intensivisht në masa dhe projekte në fushën e energjetikës për rritjen e prodhimit vendor të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme. Lidhja energjetike me rajonin, ndërtimi i interkonektorëve të rinj të gazit natyror me vendet fqinje do të nënkuptojnë diversifikim të burimeve me furnizim me energjense dhe më pak varëshmëri nga Rusia”, thekson Bekteshi.

Sipas tij, Maqedonia e Veriut është e përfshirë në Platformën e parë rajonale të Bashkimit Evropian për blerjen e energjisë, e cila do të rregullojë nevojat rajonale për gaz, energji elektrike, infrastrukturë, çmime dhe do të zvogëlojë varëshmërinë nga burimet ruse të energjisë. Presim masa dhe hapa konkret nga kjo platformë, duke pasur parasysh pritshmëritë për thellimin e krizës energjetike në Evropë, përfundon Bekteshi.

Në ndërkohë, drejtori i Elektranave të Maqedonisë së Veriut, Vasko Kovaçevski, thotë se nëse kjo ndërmarrje do t’ua shiste rrymën qytetarëve me çmimin e tregut, rritja e çmimit do të ishte 150 për qind. Ai ka apeluar për deklarata më të përgjegjshme nga opozita dhe nga disa ekspertë të cilët, siç thotë ai, japin qëndrime kontradiktore dhe hutojnë opinionin. “Ata duhet të marrin një qëndrim: A duhet që EEM të punojë në treg dhe t’ia shesë EVN Home-in rrymë me çmimin e tregut, pra me 300 euro Megavat orë, dhe në vitin 2022 të ketë fitim prej 190 milionë euro dhe të rritet çmimi për qytetarët të jetë 150 për qind apo duhet ta shesë me 48 euro megavat orë dhe rritja e çmimit të jetë minimale shtatë deri në tetë për qind dhe shteti të ndihmojë EEM duke rishpërndarë fondet nga buxheti që të mbulojë shpenzimet operative? Është krijuar konfuzion, subjekte të ndryshme kanë tentuar të shpallin rritje të mëdha të çmimeve dhe tani po kritikojnë se nuk ka rritje të çmimeve. Është thjesht e papërgjegjshme dhe joserioze të jemi dëshmitarë të kësaj”, thekson Kovaçevski. Edhe ai siguron se jo vetëm do të ketë energji elektrike të mjaftueshme, por do të rrisin prodhimin e energjisë elektrike pa asnjë kufizim.

Qeveria në seancën e fundi e ngarkoi Elektro Ekonominë që të sigurojë 100 për qind energji elektrike për EVN Home për nevojat e qytetarëve dhe konsumatorëve të vegjël për periudhën korrik-dhjetor 2022, me çmim 48 euro Megavat orë.

Për rritjen e planit të prodhimit, dinamikën e nxjerrjes së qymyrit në minierat vetanake, mundësitë për intensifikimin e tij, procedurat e prokurimit të qymyrit dhe naftës, blerjen e gazit, lëvizjen e çmimeve dhe disponueshmërinë e energjisë në tregu rajonal dhe mundësitë për optimizim të fondeve të konsumit dhe kursimit.

Për gjashtë mujorin e dytë të vitit 2022, EEEM mund të ofrojë ligjërisht energji elektrike vetëm 60 për qind të nevojave, por në atë rast furnizuesi Universal do të blinte 40 për qind me çmimin e bursave, të cilat arrijnë deri në 360 euro për megavat orë, që do të nënkuptonte rritje enorme të çmimit final për qytetarët, theksojnë nga Elektranat e Maqedonisë.

Nga Komisioni Rregullator i Energjisë thonë se nëse nuk do të vendoseshin bllok tarifat, çmimi do të rritej për 17.74 për qind. “KRRE prezantoi konceptin e tarifave të bllokut për të ndihmuar kategoritë më të rrezikuara të konsumatorëve, por edhe për familjet që nuk kanë zgjidhje tjetër dhe nuk kanë mënyrë tjetër ngrohjeje përveç energjisë elektrike, dhe për këtë arsye ne i zgjeruam blloqet vetëm në tarifën më të lartë deri në 1050 kilovat orë. Kontrolloni në çdo vend tjetër në rajon se a kanë blloqe kaq të larta. Ju siguroj me përgjegjësi dhe vendosmëri qëndroj prapa faktit se blloqet që janë përcaktuar në Maqedoni janë më të lartat në rajon”, shton më tej Bislimovski.

Ai pohon se për 59.9 për qind të konsumatorëve në periudhën e dimrit rritja do të jetë 6.6 për qind, për 20-30 për qind rritja do të jetë nga 6.6 në 8.7, për tre për qind do të jetë tek nga 8.7 deri 11.2 të konsumatorëve, ndërsa për ata që shpenzojnë shumë do të jetë nga 11.2 deri në 99-100 për qind.

Opozita, nga ana tjetër, vlerëson se rritja e energjisë elektrike do të jetë nga 17 deri në 18 për qind. Me çmimin e ri të energjisë elektrike dhe modelin e ri tarifor, sipas opozitës, qytetarët do të dëmtohen dy herë dhe do të djegin gjithçka që të gjejnë për t’u ngrohur këtë dimër.

Ekspertët nga ana tjetër thonë se Maqedonia në 30 vitet e kaluara ka ndërtuar fare pak impiante për prodhimin e energjisë elektrike dhe atë vetëm hidrocentralin Kozjak, dhe Sveta Petka, elektranën me erë në Bogdanci dhe po ndërtohet aktualisht një fotovoltaik prej 10 megavat. Përkundër planeve të shumta nuk u ndërtuan as hidrocentralet Çebren dhe Galishte, dhe as nuk u transformua Termocentrali i Negotinës që të punojë me gaz. Mbetet sfida që vendi të prodhojë mbi 5000 megavat orë në vit me ndërtimin e kapaciteteve të reja për të cilat nevojitet të holla, vullnet politik por edhe durim më i madh, për shkak se ato nuk ndërtohen brenda nate, por varen edhe nga planifikimi, financimi i huaj dhe realizimi, si dhe kërkojnë një periudhë prej së paku 8-10 vite që nuk përkon me mandatin të vetëm një garniture politike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit