Shkupi kërkon dënim të gjuhës së urrejtjes, Sofja propozon anulim të protokollit pas Marrëveshjes për fqinjësi të mirë

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 26.06.2022, 13:35

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut dje i dënoi ashpër shkrimet e djeshme “Maqedonia është Bullgari”, të cilat u shfaqën në duart e një pjese të deputetëve gjatë kohës së pikës së parë të rendit të ditës në seancën e Kuvendit Popullor të Republikës së Bullgarisë, por edhe gojarisht e theksuar nga foltorja, gjatë po të njëjtës seancë.

“Porositë e këtilla janë në kundërshtim me vlerat evropiane demokratike, por edhe kundër Marrëveshjes për Miqësi, Fqinjësi dhe Bashkëpunim dhe nuk kontribuojnë në kultivimin e parimeve dhe frymës së Marrëveshjes”, thekson MPJ-ja.

Republika e Maqedonisë së Veriut pret që përfaqësuesit zyrtarë të Bullgarisë të dënojnë këtë gjuhë eksplicite të urrejtjes dhe pretendimeve territoriale drejt Maqedonisë së Veriut, si akt skajshëm jo korrekt drejt një shteti fqinj mik.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mënyrë përkatëse i ka dorëzuar Notë Verbale Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë”, shtohet në kumtesë.

Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë sot kumtoi se është e gatshme të vazhdojë me nënshkrimin e Protokollit, sipas nenit 12 nga Marrëveshja për miqësi dhe fqinjësi të mirë me Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Sofja, kumtesa e tillë e MPJ-së bullgare vijon pas vendimit të djeshëm të Asamblesë popullore të Bullgarisë me të cilën i jepet dritë e gjelbër propozimit të presidencës franceze për fillimin e negociatave për aderimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

Në kumtesën e Ministrisë thuhet se “është koha që faktorët përgjegjës në Republikën e Maqedonisë së Veriut jo me fjalë, por me vepra, ta tregojnë përkushtimin e tyre dhe dëshirën për të ardhmen personale dhe evropiane të rajonit”.

“Shpejtësia me të cilën Republika e Maqedonisë së Veriut do të inkuadrohet drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian varet nga ajo dhe nuk do të shtyhet nëse vendi i realizon obligimet e ndërmarra lidhur me vlerat evropiane dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore”, theksohet në kumtesën e Ministrisë bullgare të Punëve të Jashtme.

Zëvendëskryeministrja në dorëheqje dhe lidere e Partisë socialiste bullgare, Kornelia Ninova në intervistën për Televizionin kombëtar bullgar (BNT) ka kritikuar veprimet e presidentit Rumen Radev. Siç bën të ditur korrespondenti i MIA-s në Sofje, Ninova ka akuzuar Radevin për sulme të njëanshme ndaj Qeverisë së Kiril Petkovit, pasi synon në më shumë pushtet.

Ninova ka komentuar edhe propozimin e presidencës franceze për Maqedoninë e Veriut pasi PSB është përmbajtur nga votimi në Kuvendin kombëtar pasi ajo nuk ka respektuar plotësisht vijat e tyre të kuqe për Republikën e Maqedonisë së Veriut për zbatimin e marrëveshjes bilaterale. Në të thuhet se bisedimet do të fillojnë pasi Shkupi do të ndryshojë Kushtetutën dhe të përfshijë bullgarët në të, ndërsa ky është propozim i mirë”, tha Ninova. Presidenti amerikan Xho Bajden nuk mund të lejojë mes aleateve të NATO-s, një vend anëtare ta detyrojë dhe keqtrajtojë një vend tjetër, sepse është më i madh ose siç është në rastin me Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut, sepse është anëtare e BE-së, thekson profesori universitar amerikan dhe ekspert për Ballkanin, Eduard Xhozef.

“Kjo tashmë është problem edhe për NATO-n. Këtë nuk mund ta lejojmë. Kjo është aleancë, NATO është aleancë, nuk mund që SHBA të lejojë agresion ndaj identitetit, përdorimit të forcës në këtë mënyrë. Kjo është serioze, nuk është punë e vogël. Identiteti i njerëzve lidhet me identitetin e shtetit, avancimin e shtetit, brendinë dhe stabilitetin dhe marrëdhëniet e mira mes maqedonasve dhe shqiptarëve që është edhe interes i jonë. Nga ana tjetër interes i Vlladimir Putinit janë ndarjet dhe konfliktet. Ndarje mes bullgarëve dhe maqedonasve, ndarje mes shqiptarëve dhe maqedonasve, mes serbëve dhe kosovarëve. Putini këtë e dëshiron në Ukrainë, këtë e dëshiron edhe në Ballkan, ndarje, konflikte, derisa interesi i SHBA-së është që e gjithë kjo të ndalojë, duke filluar me afirmimin në formë zyrtare të shkruar të identitetit maqedonas”, thotë Xhozef në intervistën për klanmakedonia.Sipas tij në këtë mënyrë me afirmimin amerikan të identitetit maqedonas, kombit dhe gjuhës do të dërgohet porosi deri te Sofja: “Ju asnjëherë nuk do të fitoni, asnjëherë nuk do të mund ta fshini identitetin maqedonas”.

I pyetur të japë koment për “propozimin francez”, Xhozef tha se nuk beson se Franca dhe presidenti i saj Emanuel Makron kanë pasur “motive të këqija”, por problemi është në “dobësinë dhe pafuqinë e Bashkimit Evropian”.

“Rregullat, protokollet e BE-së thonë se nuk duhet të vendosni çështje dypalëshe në procesin e anëtarësimit. Ai proces i referohet diçkaje tjetër – nëse Maqedonia e Veriut i plotëson kushtet, nëse zbaton reforma dhe sundim të ligjit dhe çështje të tjera, por jo për ankesa për historinë dhe gjuhën”, tha Xhozef.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit