U vra me thikë nga nëna e saj, përcillet për në banesën e fundit 5-vjeçarja italiane

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 23.06.2022, 07:47

Një ngjarje e rëndë u regjistrua para pak ditësh në Itali pasi një 5-vjeçare, Elena Del Pozzo, e cila ishte denoncuar e zhdukur nga familjarët u gjet e vdekur.

E mitura u vra nga nëna e saj 23-vjeçare, e cila e tregoi krimin para prokurorëve italianë dhe nuk shprehu pendesë.

E vogla është përcjellë për në banesën e fundit pas plagëve me thikë që i dha nëna e saj. Arkivoli i vogëlushes Elena Del Pozzo mbërriti në Katedralen e Katanias e pritur me duartrokitje dhe një fluturim balonash të bardha.

Gjatë ditës së djeshme mijëra njerëz morën pjesë në funeralin e Elena Del Pozzo, vajzës 5-vjeçare të vrarë nga nëna e saj 23-vjeçare Martina Patti në Mascalucia, teksa në një fshat është shpallur ditë zie.

Riti i varrimit u drejtua nga Kryepeshkopi Metropolitan i Katanias Luigi Renna, i cili u lut duke vendosur dorën mbi arkivolin e vogël.

Kryepeshkopi Metropolitan i Katanias Luigi Renna:

Dhe nëse një ditë do të ketë viktima të tjera si Elena jonë e vogël, kjo do të jetë sepse dikush do të ketë mbjellë barërat e këqija të urrejtjes dhe hakmarrjes në fushën e Zotit. Le të përpiqemi të mbjellim atë që Krishti dhe çdo njeri i gjallëruar nga vullneti i mirë shpërndajnë me bollëk: mëshirë, devotshmëri, drejtësi, dialog, parandalim të çdo forme dhune. Vetëm në këtë mënyrë nuk do të ketë më funerale të tilla. Virgjëresha e Shenjtë dhe Shën Agatha marrin për dore Elenën e vogël dhe luten për të gjithë ne të rriturit, sepse ne dimë të shtrijmë dorën, të ngrihemi në majë të gishtave, të mbajmë hapin me fëmijët.

Mes lotëve dhe dhimbjes, arkivoli i të miturës së ndjerë u përcoll në banesë nën prezencën e babait të saj Alessandro, gjyshi Giovanni, tezes Martina Vanessa dhe gjyshes Rosaria Testa.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit