Muzeu i Alfabetit pa rrymë dhe cak i hajnave

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 21.06.2022, 20:42

Situata në Muzeun e Alfabetit në Manastir vazhdon të vështirësohet edhe më shumë. Gjatë fundjavës, persona të papërgjegjshëm kanë vjedhur aparatin e ujit në oborrin e këtij objekti. Drejtori i Muzeut, Zait Aliu për “Koha” ka deklaruar se për shkak bllokimit të xhirollogarive nga borxhet e papaguara dhe keqmenaxhimit me IPA Fondet, janë shkaqet e bllokimit të xhirollogarisë së këtij institucioni. “Gjatë fundjavës kemi pasur dëmtim dhe vjedhje të pronës së Muzeut. Persona ende të panjohur për ne kanë vjedhur aparatin e ujit në Muzeun e Alfabetit.

Kemi lajmëruar policinë dhe ata janë duke u marrë me rastin. Por për shkak të bllokimit të xhirollogarisë, nuk kemi pasur mundësi të paguajmë rrymën dhe as kamerat e sigurisë nuk kanë punuar. Kam njoftuar edhe Ministrinë e Kulturës dhe i kam shpjeguar për situatën në të cilën gjendemi, por nga atje nuk kanë reaguar. Nga fundi i muajit maj nuk kemi as sigurim të objektit dhe çfarë të them situata vetëm se po vështirësohet dita-ditës”, shprehet i revoltuar Aliu.

Ai ka apeluar deri te institucionet shtetërore të marrin masa për ta përmirësuar gjendjen në këtë institucion dhe të ndihmojnë në kalimin e krizës së krijuar. Problemi u krijua për shumën 100 mijë euro, që kontraktuesit duhej t’i likuidohej për të përfunduar punimet. Llogaritë e muzeut janë ngrirë në muajin shkurt, kur kompania që realizoi rikonstruktimin ia kaloi borxhin e grumbulluar prej dy vjetësh përmbaruesve.

Spiralja e problemeve ku gjendet edhe sot Muzeu nisën pasi projekti i financuar nga granti i IPA (234 mijë euro), parashikonte që fillimisht IPA të lëshojë 35 për qind të shumës, duhej pjesën tjetër pasi të kishin përfunduar punimet dhe verifikimit të faturave për punimet e kryera sipas projektit. Disa muaj më parë Qeveria e ngarkoi Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale (në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Financave dhe Sekretariatin Ligjvënës) të hartojë një propozim-vendim për gjetjen e mënyrës për financimin e detyrimeve të mbetura për realizimin e aktiviteteve projektuese në Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, që dalin nga programi IPA fonde për bashkëpunim ndërkufitar. Por sipas të gjitha gjasave propozimi nuk është formuluar ende,raporton kohamk.

Ndryshe, rikonstruktimi i Muzeut u realizua në kuadër të projektit “Muzetë që lidhin kulturat dhe popujt”, Programit për bashkëpunimit ndërkufitar “Greqi-Maqedoni 2014-2020” në suaza të Marrëveshjes për Partneritet, me vlerë prej 780.682 euro në total.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit