Gazetari rus shet Çmimin Nobel për fëmijët e Ukrainës

Shkruar nga: N Hoxha | Publikuar më: 20.06.2022, 17:53

Cili është çmimi që mund t'i vini paqes? Kjo pyetje mund të marrë një përgjigje, një gjysëm përgjigje në fakt, mbrëmjen e sotme kur gazetari rus Dmitry Muratov do të nxjerrë në ankand Nobel-in e tij për Paqen. Fitimet do të shkojnë tek UNICEF, për përpjekjet e tyre për t’i ardhur në ndihmë fëmijëve që gjenden ne luftë në Ukrainë.

Muratov, i cili e fitoi çmimin në tetor të 2021, ka ndihmuar në themelimin e gazetës së pavarur ruse “Novaya Gazeta” dhe ishte kryeredaktor i saj kur u mbyll në mars, një përpjekje e Kremlin-it për të “mbytur” zëra kundërshtues, në media dhe në publik, për sa i përket luftës në Ukrainë.

Muratov e “bashkëfitoi” Çmimin Nobel për Paqen vitin e shkuar bashkë me gazetaren Maria Reesa nga Filipinet, për luftën e tyre në vendet respektive për lirinë e të shprehurit, pavarësisht sulmeve, deri në kërcënime për vdekjen, që kanë marrë nga qeveritë përkatëse. Më parë gazetari ka qenë shumë kritik ndaj aneksimit të Krimesë nga Rusia, njësoj si në rastin e luftës ndaj Ukrainës. Ai e la Rusinë ditën e enjte, për të nisur udhëtimin e tij drejt New York-ut, ku do të bëhet edhe ankandi për medaljen e tij.

Ofertat për të kanë nisur online që në datën 1 qershor, ndërsa pritet të ketë edhe oferta të tjera “live”. Deri më tani oferta më e lartë është 520 mijë euro, por sonte pritet të ngrihet, deri në disa milionë euro.

Hera e parë që një medalje e Çmimit Nobel është shitur ka qenë në 2014, kur James Watson shiti për 4.76 milionë dollarë medaljen e tij të vitit 1962. Nëse medalja e gazetarit rus do të shkrihej, 175 gramët e arit 23-karatësh që ajo përmban do të kapnin vlerën e vetëm 10 mijë dollarëve, megjithatë është çmimi që ajo mban dhe rasti i veçantë për të cilën është nxjerrë në ankand që pritet t’ja rrisin vlerësimin shumë më shumë.

Burimi: Euronews

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit