Profesorët ndihmuan nxënësit të kopjojnë në Testin e Arritshmërisë

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 17.06.2022, 18:17

Pak ditë më parë, rreth 24 mijë nxënës të cilët kanë përfunduar klasën e nëntë ju nënshtruan testit të arritshmërisë, i cili këtë vit u mbajt në dy ditë të ndryshme.

Megjithatë, ajo çfarë morri vëmendje më të madhe se sa vet testi i arritshmërisë, ishte fakti që, nxënësit, sikurse në çdo gjeneratë tjetër, edhe kësaj radhe i shpërndanë testet me përgjigjet e sakta në rrjete sociale.

Rreth gjithë kësaj, organizata ETEA, ka lëshuar një komunikatë për media, ku ka adresuar këtë problematikë.

ETEA, ka bërë të ditur se, një situatë sikurse ajo me semimaturantët është edhe me nxënësit e nivelit me Provimin e Maturës.

Kjo organizatë, përmes përcjelljes së vazhdueshme, ka konstatuar se gjendja është alarmante, pasi që, sipas dëshmive të siguruara nga ETEA, maturantët po bashkëpunojnë me mësimdhënësit në grupet e rrjeteve sociale me qëllim për të kopjuar.

Po ashtu, ETEA, bën të ditur se, në komunikimet mes nxënësve kërkohen edhe shërbime duke premtuar pagesa, por, përveç kësaj, premtohen edhe vota për Zgjedhjet Studentore në Universitet.

“DEKLARATË E ORGANIZATËS ETEA LIDHUR ME TESTIN E ARRITSHMËRSIË DHE PROVIMIN E MATURËS. Pas përfundimit të Testit të Arritshmërisë, nesër, datë 18.06.2022, 22 mijë nxënës/e të klasëve të 12-ta në nivel vendi hyjnë në Provimin e Maturës. ETEA është duke përcjellë me vëmendje komunikimet* mes nxënësve/eve lidhur me Provimin e Maturës dhe konstaton se gjendja është tejet alarmante. Sipas dëshmive të siguruara nga organizata ETEA, maturantët/et janë duke bërë përgatitje përtej asaj që mund të imagjinohet për të kopjuar në teste, si vijon: 1. Flitet për përfshirjen e mësimdhënësve në grupet e rrjeteve sociale të hapura për qëllime të kopjimit; 2. Flitet për përfshirjen e studentëve/eve dhe familjarëve në grupet në fjalë; 3. Në këto komunikime vërehen edhe diskutime ku kërkohen këto shërbime duke premtuar pagesa; 4. Nga komunikimet kuptohet se ka studentë/e të cilët/at ofrojnë ndihmë për kopjim në këmbim të votave për Zgjedhjet Studentore në Universitet”, thuhet në komunikatën e ETEA-s. Po ashtu, nga kjo organizatë bëhet e ditur se, grupet e formuara nga këta maturantë dallojnë nga grupet e formuara nga semi-maturantët, pasi që, siç njofton ETEA, administratorët e grupeve në fjalë, shfaqën edhe të ashpër dhe kërcënues ndaj kujtdo që shpërndanë informacione nga këto grupe.

“Ajo që bije më shumë në sy e që dallon nga grupet e formuara nga semi-maturantët/et me qëllim të kopjimit në Testin e Arritshmërisë, ka të bëjë me rregullat dhe metodat e sofistikuara që maturantët/et aplikojnë për të pamundësuar identifikimin e tyre në këto grupe, si vijon: 1.Emrat e grupeve të rrjeteve sociale ndryshojnë vazhdimisht; 2. Kushdo që përfshihet në këto grupe, për të qëndruar aty obligohet ta largojë foton e profilit dhe emrin dhe mbiemrin ta zëvendësojë me iniciale, përndryshe përjashtohet nga grupet në kohë rekorde; 3 Administratorët/et e grupeve në fjalë duket të jenë të ashpër përmes paralajmërimeve dhe kërcënimeve ndaj kujtdo që identifikohet se ka shpërndarë informacion për ekzistimin dhe funksionimin e këyre grupeve”, shtohet në komunikatën e ETEA-s.

Tutje, në komunikatën e kësaj organizate, thuhet se ETEA, përfshirja e ekspertëve të kibernetikës në grupet e semi maturantëve, nuk ka qenë e mjaftueshme.

“Organizata ETEA përshëndet vendimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për të përfshirë ekspertë të kibernetikes në grupet punuese të Këshillit Shtetëror të Maturës, të cilin vendim e aplikoi edhe në pjesën e dytë të Testit të Arritshmërisë. Por, bazuar në deklaratën e publikuar nga MASHTI më datë 17.06.2022 për mbarëvajtjen e pjesës së dytë të Testit të Arritshmërisë, ETEA konstaton se përfshirja e ekspertëve të kibernetikës në këto grupe punuese nuk është e mjaftueshme për të mos thënë se është krejtësisht e pavërejtëshme. Kjo pasi grupet e semi-maturantëve për qëllime të kopjimit, me anëtarësi deri në 5 mijë persona, kanë qenë aktive ngjajshëm sikurse në pjesën e parë të Testit të Arritshmërisë dhe komunikimi ka qenë në dinamikë kulminante gjatë kohës së zhvillimit të testit në fjalë”, vijon ETEA.

Kësisoj, ETEA, rekomandon që të konsiderohen masa rigoroze për parandalimin e fenomeneve të tilla, duke këshilluar që të pajisen komisionerët me detektorë për zbulimin e pajisjeve elektronike, dhe të shqyrtohet mundësia e përfshirjes së bllokuesve të valëve në qendrat e testimit përgjatë kohës që zhvillohen testet.

“Organizata ETEA bën thirrje ndaj Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit si dhe Drejtorive Komunale të Arsimit në nivel vendi që ta marrin me seriozitet të shtuar këtë situatë. ETEA rekomandon që të konsiderohen me urgjencë masa rigoroze për parandalimin e fenomeneve të tilla për të parandaluar degradimin e mëtejmë të sistemit arsimor, si vijon, por pa u kufizuar: 1. Të shqyrtohet mundësia e përfshirjes së bllokuesve të valeve në Qendrat e Testimit përgjatë kohës së zhvillimit të testeve; 2. Të pajisen komisionerët/et dhe administruesit/et e testeve me detektorë për zbulimin e pajisjeve elektronike; 3. Të rimendohet organizimi i grupeve punuese duke përfshirë sa më shumë zyrtarë dhe njohës të krimeve kibernetike të cilët duhet të angazhohen maksimalisht duke u qasur në këto grupe për të siguruar informacion në kohë reale në mënyrë që të identifikohen të gjithë ata/o që mundësojnë, inkurajojnë dhe njëherësh aplikojnë të tilla metoda mashtruese”, shtohet në komunikatë. Në fund, për shkak të gjithë kësaj situate alarmante, ETEA, konsideron se është më e arsyeshme që të pezullohet organizimi i testeve kombëtare për klasat e 9-ta dhe të 12-ta deri në momentin e krijimit të kushteve për testim të drejt.

“Në të kundërt, ETEA konsideron se është më e arsyeshme të pezullohet organizimi i testeve kombëtare për klasët e 9-ta dhe 12-ta derisa te krijohen kushtet për testim të drejtë, korrekt dhe trajtim të barabartë të fëmijëve – se sa të vazhdohet në këtë mënyrë vit pas viti. Pasi kjo, para se gjithash, është e dëmshme për vet nxënësit/et e Kosovës të cilët, tani e disa vite vazhdojnë të prijnë në kontinentin evropian për analfabetizëm funksional”, përfundohet në komunikatën e ETEA-s.

Përndryshe, në dëshmitë që janë siguruar dhe janë dhënë nga ETEA, e të cilat lajmi.net, u a përcjellë ju, mund të shihet qartë tentimi për kopjim, përfshirjen e profesorëve në grupe dhe përgatitjen që këta të fundit t’i ndihmojnë nxënësit të kopjojnë, por, shihen edhe raste të kërcënimit të gazetarëve për shkak se këta të fundit kanë raportuar për fenomenin në fjalë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit