Në kulmin e rritjes së çmimeve, UKT e Veliajt blen 60 biçikleta elektrike me çmim 1200 euro copa

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 08.06.2022, 20:23

Çdo ditë e më tepër që kalon, të gjithë e ndjejmë rritjen e çmimeve. Kjo e fundit natyrisht sjell edhe rritjen e vështirësive ekonomike pasi për të blerë të njëjtat mallra duhen më shumë para. Dhe në një kohë kur rrogat qëndrojnë në vend e të pandryshuara, situata bëhet akoma më e vështirë.

Por kjo duket se nuk e ka penguar aspak Erion Veliaj që të blejë nëpërmjet Ujësjellës Kanalizime Tiranë plot 60 biçikleta elektrike me vlerë rreth 1200 euro copa. Për këtë është hapur një tender me numër reference REF-24705-04-11-2022 dhe me objekt “Blerje biçikleta elektrike”.

Fondi limit i kësaj procedure prokurimi është 7,900,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 95 milionë lekë të vjetra me TVSH. Duke studiuar dokumentacionin përkatës vihet re se në këtë tender kanë marrë pjesë vetëm dy kompani nga të cilat është shpallur fituese firma A.K.M ALBANIAN INVESTMENT GROUP me vlerë të ofruar prej 7,260,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 87 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Kjo vlerë rezulton të jetë ndërkohë sa 91.89% e fondit limit të tenderit. Nga ana tjetër nga dokumentat e tenderit shikohet se do të blihen 60 copë biçikleta elektrike që do të thotë se çdo biçikletë do të kushtojë mbi 1200 euro.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit