S’ka qetësi për njerëzimin! Shfaqet “Lia e Majmunëve”, zbulohen 2 raste të reja në Britani

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 14.05.2022, 17:12

Pas uljes së ndjeshme të infektimit apo vdekjeve nga pandemia e Covid-19, njerëzimi nuk po gjen qetësi, teksa Britania e Madhe po përballet me një sëmundje të re. Bëhet fjalë për “Monkeypox”, e përkthyer në shqip si Lija e Majmunëve.

Sëmundja në fjalë e cila ka qenë e padiagnostikuar më parë në Perëndim, duket se po përhapet me shpejtësi. Lija e Majmunëve ka prekur kryesisht Britaninë e Madhe, ku ditën e sotme janë zbuluar dy raste të reja të infeksionit, të cilat nuk kanë lidhje me të mëparshmet.

Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Britaninë e Madhe, ka bërë një deklaratë për mediat ku thotë se një nga dy personat, që jetojnë në të njëjtën familje po trajtohet në spital.

“Një nga rastet më të fundit po kujdeset në njësinë e sëmundjeve infektive në Spitalin St Mary’s, Imperial College Healthcare NHS Trust, në Londër. Personi tjetër është i izoluar dhe aktualisht nuk kërkon trajtim spitalor”, thuhet në deklaratë.

Këto raste, të cilat janë të tetat dhe të nëntat e konfirmuara në total në Britani, nuk janë të lidhura me rastin e konfirmuar më parë në 7 maj. Ndërkohë raportohet nga Daily Mail se kontakteve të ngushta të dy rasteve të fundit po u ofrohet informacion dhe këshilla shëndetësore si një masë paraprake.

Sa i përket sëmundjes “Lija e majmunëve” është një infeksion i rrallë viral që vret deri një në dhjetë nga të infektuarit, por nuk përhapet lehtësisht midis njerëzve. Sëmundja u zbulua për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2018 pasi një udhëtar e solli virusin nga Nigeria dhe u përhap te dy persona të tjerë, duke përfshirë një infermiere të NHS-së.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit