Disa nga kompanitë më të mëdha energjetike në Europë po përgatiten të paguajnë gazin në rubla, duke iu bindur kështu kërkesës së Rusisë që energjia të paguhet me monedhën ruse.
Kompanitë e energjisë në Gjermani dhe Hungari kanë konfirmuar se synojnë të përmbushin kërkesën e Vladimir Putin.
Por BE-ja ka paralajmëruar se ekziston rreziku që kompanitë të shkelin sanksionet që ndalojnë transaksionet me bankën qendrore të Rusisë.
Çfarë kërkoi Rusia?
Putin tha se blerësit nga vendet "jomiqësore" duhet të paguajnë për gazin e tyre në rubla. Zakonisht, shumica dërrmuese e blerësve do të paguanin në euro ose dollarë.
Kush ka rënë dakord dhe kush jo?
Hungaria ka thënë se është e kënaqur me planin dhe sipas raporteve tre nga kompanitë më të mëdha të gazit në Evropë, Uniper e Gjermanisë, Eni e Italisë dhe OMV e Austrisë, po shqyrtojnë gjithashtu mënyrat për të përmbushur kushtin e Putinit.
Pse Rusia dëshiron pagesa në rubla?
Vendimi i Perëndimit për të vendosur sanksione shkaktoi një rënie të mprehtë të vlerës së rublës dhe rriti kërcënimin e hiperinflacionit. Për këtë arsye, Rusia vendosi kontrolle të rrepta të kapitalit, sipas të cilave kompanitë eksportuese u detyruan të konvertonin të ardhurat e tyre në rubla.