Polici Bilbil Memaj gati për SPAK, mbush xhepat e Nikolin Jakës me 255 milionë për ushqim e gatim

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 09.04.2022, 22:04

Akademia e Sigurisë Tiranë është një institucion që në thelb përgatit dhe nxjerr nga bankat e saj policët e të ardhmes. Natyrisht ndër vlerat themelore të kësaj akademie dhe që natyrisht çdo polic i ardhshëm duhet të ketë, janë ndër të tjera integriteti dhe profesionalizmi. Pa dyshim këtu përfshihet edhe lufta ndaj korrupsionit. Por duket se ndryshe nga ajo që kjo akademi u mëson policëve të ardhshëm, në të vërtetë përfshihet vetë në tendera tepër të dyshimtë që janë të denjë për SPAK.

Në rastin konkret, ky institucion i drejtuar nga Bilbil Memaj ka organizuar një procedurë prokurimi që mban numrin e referencës REF-23763-04-01-2022 me objekt “Shërbim Gatim dhe Shpërndarje Ushqimi (Katering), për Akademinë e Sigurisë”. Fondi limit është vendosur 21,332,497 lekë të reja pa TVSH ose rreth 255 milionë lekë të vjetra përfshirë TVSH. Tenderi në fjalë ka jo një por disa “famuj të kuq”, duke mundësuar që të konsiderohet si një procedurë kryekëput e dyshimtë.

Së pari, shihet se ka një mungesë totale konkurrence pasi në të ashtuquajturën garë ka marrë pjesë vetëm një kompani e cila natyrisht është shpallur edhe fituese. Së dyti, vlera fituese e ofruar nga kompania pjesëmarrëse e vetme është 21,331,348 lekë të reja pa TVSH ose rreth 255 milionë lekë të vjetra me TVSH. Nëse krahasojmë shifrat e vlerës së ofruar nga firma fituese me fondin limit të tenderit, shohim se janë thuajse identike. Madje rezulton se vlera fituese është sa 99.99% e fondit limit.

Së treti, procedura e këtij tenderi është e tipit “me negocim, pa njoftim”. Së katërti, tenderi është hapur në datë 01-04-2022 dhe është mbyllur në datë 04-04-2022. Pra Bibil Memës dhe akademisë së tij, i janë dashur vetëm 4 ditë për të shpallur fituesin. Por cili është fituesi?

Bëhet fjalë për firmën SORI-AL të Nikolin Jakës. Aktualisht “me letra” firma është në pronësi të gruas së tij Alma Tafani, por në realitet pas kompanisë qëndrob vetë Jaka. Madje shpesh gjatë viteve Tafani i ka shitur e blerë aksione Jakës në këtë kompani. Gjithsesi të gjitha sa më sipër duhet patjetër të vënë në punë SPAK për të hetuar këtë tender kryekëput të dyshimtë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të klikoni këtu për të na kontaktuar.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit