Avokati i Popullit “ia fut popullit”, pret 40 milionë “me gërshërë” për blerje fuoristrade tek Porsche Albania

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 02.04.2022, 22:14

Avokati i Popullit është një institucion që me letra presupozohet se mendon për popullin. Ju si thoni, a mendon vërtetë për të? Epo tenderi në vazhdim kemi frikë se do tregojë pikërisht të kundërtën. Se jo vetëm Avokati i Popullit nuk mendon për popullin, por përkundrazi “ia fut” sa krahu popullit të shkretë nëpërmjet tenderave të dyshimtë. Rezulton se ky institucion i drejtuar nga Erinda Ballanca, paska nevojë për një fuoristradë 4×4 që të zgjidhë “hallet e popullit”.

Kjo fuoristradë përveçse kushton mbi 40 milionë lekë, duhet të ketë edhe një sërë kërkesash që të pasmet e Avokatit të Popullit të rrinë sa më mirë. Kështu, kërkohet që patjetër mjeti të jetë prodhim i vitit 2021-2022, me zero kilometra, fuqia minimale e motorit jo më pak se 150 Hp, norma e ndotjes Eur6, marshe automatike me 7 raporte dhe me shpejtësi maksimale jo më pak se 180 km/h etj. Si duket mjeti në fjalë do t’i duhet Avokatit të Popullit që të nxitojë duke ecur me mbi 180 km/h që të shkojë sa më shpejt pranë halleve të popullit...

Por përtej sa më sipër, vetë tenderi rezulton të jetë tepër i dyshimtë, pasi kemi të bëjmë me një mungesë totale konkurrence. Pikërisht! Në tender ka marrë pjesë vetëm një kompani, PORSCHE ALBANIA SH.P.K e cila administrohet nga Gentian Bushati. Për të qenë më konkretë, bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-21632-03-10-2022 dhe me objekt “Blerje automjet për institucionin”.

Oferta e PORSCHE ALBANIA e cila është shpallur edhe fituese është 3,250,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 40 milionë lekë të vjetra me TVSH. Kjo vlerë rezulton thuajse identike me fondin limit të tenderit, duke qenë sa 97.5% e tij. Të gjitha sa më sipër e bëjnë këtë tender tepër të dyshimtë dhe ka shumë mundësi që fituesi të ketë qenë i paracaktuar. A do hetojë vallë SPAK?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të klikoni këtu për të na kontaktuar.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit